Itali, javë surprizashndalen Juventus e Roma
TIRANE-Seria A ka zhvilluar mbrëmë ndeshjet e javës së 23-të, që janë mbyllur me një seri surprizash. Kështu, Juventusi ka pësuar humbjen e radhës, duke u mundur 2-1 në Palermo. Bardhezinjtë kanë treguar se janë një skuadër në krizë dhe të pazotë për të dalë nga gjendja e keqe ku janë futur që prej fillimit të këtij viti. Fabricio Mikoli dhe Miljaço kanë qenë heronjtë e siçilianëve, ndërkohë që për "Zonjën e Vjetër" ka shkurtuar diferencën Marçizio. Një rezultat aspak i mirë edhe për Romën, që ka barazuar 1-1 në "Olimpiko" me Breshian e vendit të parafundit. Pas një pjese të parë të dobët, Borrielo kaloi verdhekuqtë në avantazh në minutën e 58-të, duke dhënë idenë se fitorja do të vinte pavarësisht lojës jo të mirë. Por, Eder barazoi shifrat në minutën e 69-të, një rezultat që nuk ndryshoi deri në fund. Ndalesë edhe për Udinezen, që mbrëmë nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 me Bolonjën. Di Vaio për miqtë dhe Domici për vendasit ishin autorët e golave në këtë takim. Ndërkohë, është rikthyer te fitorja Fiorentina, ndërsa Napoli është mposhtur 2-0 nga Kievo në transfertë. Parma ndërkaq u mund 0-1 në shtëpi nga modestët e Leçes.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)