Grabitësit e karburantit vrasin shqiptarin
SELANIK - Një emigrant shqiptar në Greqi është vrarë dje nga dy persona që kanë grabitur arkën e karburantit ku ai punonte. Lajmi është bërë publik nga mediat greke, sipas të cilave gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur viktima është ekzekutuar nga persona të panjohur gjatë vjedhjes me armë në pikën e karburantit në qytetin e Selanikut. Duke iu referuar policisë lokale, ngjarja ka ndodhur në lagjen "Stavrupoli" të Selanikut rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm. Persona të panjohur i janë afruar pikës së karburantit dhe kanë kërkuar nga shtetasi shqiptar që punonte atje, t'i hidhte benzinë makinës së tyre. Në kohën që ia ka nisur t'iu shërbejë ata i kanë kërkuar t'iu jepte të gjitha paratë e xhiros. Në këtë moment ai ka kundërshtuar, ndërsa dy personat janë përleshur me të dhe kur ai është përpjekur për t'u larguar e kanë qëlluar me pistoletë në kurriz dhe janë larguar pasi kanë marrë edhe lekët nga arka. Sipas policisë greke viktima quhet Ermal Andon Beri, i datëlindjes 1960, baba i dy fëmijëve. Si pasojë e plagës së marrë ai ka humbur jetën pak më vonë edhe pas ndihmës që i është dhënë nga persona të tjerë që janë gjetur aty rastësisht. Ndërsa përsa u përket vrasësve dihet vetëm se kanë pasur një autoveturë tip "BMW" me ngjyrë blu. Ata janë larguar me të shpejtë duke u treguar të kujdesshëm të mos linin gjurmë në vendngjarje. Ndërkohë për shkak të orëve të para, pas mesnate dhe temperaturave të ftohta të stinës lëvizja e qytetarëve ka qenë e paktë, duke bërë që të mos kishte dëshmitarë në vendngjarje. Policia ka nisur një hetim të gjerë për të zbardhur ngjarjen dhe po kërkon vrasësit për të cilët mendohet të kenë qenë dy persona. f.m.