E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, ligjërohen "mjekët-policë"

Senati italian votoi një projektligj që i detyron mjekët të spiunojnë pacientët klandestinë, që shkojnë në spital për kurim.

Me 154 vota pro dhe 114 kundër ligji që po shkakton polemika, u kalua në Senat dhe tani do të shkojë edhe në dhomën e deputetëve. Mes klauzolave, përveç asaj të denoncimit të klandestinëve nga mjekët, përfshihet edhe vendosja e një takse nga 80 deri në 200 euro për lejen e qëndrimit të emigrantëve.

Entuziazmit të Ligës së Veriut i kundërpërgjigjet opozita italiane me deklarata të ashpra, që e quajnë ligjin të turpshëm antinjerëzor dhe racist. Kjo ide e mjekëve-policë, tha Valter Veltroni i Partisë Demokratike, është raciste. Të tjera forca opozitare i nxisin mjekët ta kundërshtojnë ligjin.

Amendamenti i Ligës

Mjekët mund të denoncojnë të huajt e parregullt. Senati italian ka aprovuar mendimin e ligjit të sigurisë me propozim të Ligës së Veriut. Më parë në këtë ligj thuhej se mjekët nuk duhet të denoncojnë të huajt klandestinë që u drejtohen strukturave shëndetësore. Opozita kërkoi votim sekret, sepse mendimi "është një dhunim i Kushtetutës". Por Presidenti i Senatit e hodhi poshtë kërkesën, duke proceduar me votimin elektronik.

Peshkopët, asnjë denoncim

"Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë emigrantët e varfër dhe të parregullt". Ky është pozicioni i kishës, i shprehur nga Imzot Domeniko Segalini, peshkop i Palestinës dhe sekretar i komisionit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për emigracionin. "Të dhënat që do të japim janë vetëm ato të respektimit të ligjit, por mbi gjithçka qëndron respekti për shëndetin. Është e rëndë që një person në rrezik për jetën të mos shkojë të marrë ndihmë mjekësore për shkak të frikës se e denoncojnë. Detyra e mjekut është që të ndihmojë atë që vuan pa parë nga feja, ngjyra e lëkurës apo nëse është një i dënuar me vdekje".

Ligji "kundër klandestinëve", parashikon gjithashtu edhe burg deri në 4 vjet për emigrantët e parregullt që qëndrojnë në Itali edhe pas dëbimit të tyre, si dhe fikson një taksë nga 80 deri në 200 euro për lejet e qëndrimit të tyre në Itali.

Duket se qeveritarët italianë e kanë harruar periudhën kur bashkëkombësit e tyre disa dekada më parë morën rrugët e përtejdetit, drejt Amerikës, si emigrantë, në kërkim të një jete më të mirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›