Studentët në protesta, kërcënojnë me grevë urie
Studentët e Universitetit të Tiranës u janë rikthyer protestave për diplomat e reja, por ndryshe nga sa pritej, pjesëmarrja e tyre ka qenë modeste. Anulimi i udhëzimit, i korrikut të vitit 2008, që ndryshon formatin dhe përmbajtjen e diplomave, ka qenë sërish kërkesa e tyre kryesore, drejtuar Ministrisë së Arsimit. Por deri tani, ky institucion është deklaruar i vendosur se nuk do të ndryshojë asgjë në modelin e diplomave të dorëzuara studentëve. Nga ana tjetër, vetë të rinjtë paralajmërojnë dhe masën me ekstreme, grevën e urisë. "Kemi pasur disa takime me ministrin dhe ai nuk na ka dhënë asnjë lloj shprese për kërkesat tona, për titullin që është gjëja kryesore dhe kemi menduar të vazhdojmë kështu derisa të na dëgjojnë, sepse nuk po marrim ndonjë reagim në të mirën tonë", shprehet një përfaqësuese e studentëve. "Greva e urisë është një masë shumë ekstreme, por nuk përjashtohet", thotë një tjetër student. Vetëm një ditë më parë, studentet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, si dhe ata të Gjuhëve të Huaja, i kanë dërguar ministrisë një peticion të firmosur nga mbi 1600 studentë, megjithëse shumica e tyre nuk kanë marrë pjesë në tubim, pasi u janë drejtuar sërish auditorëve, për t‘u futur në provime. Reagime ka pasur edhe nga politika lidhur me shqetësimin e ngritur nga studentët e UT-së. Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini, ka kërkuar një interpelancë me ministrin e Arsimit dhe të Shkencës, Fatos Beja. Sipas Ulqinit, Ministria e Arsimit është përgjegjëse për të zgjidhur edhe problematikën universitare, pasi ka shkaktuar një revoltë studentore lidhur me zhvleftësimin total të diplomave dhe nuk angazhohet të zgjidhë problemin, por po i nxjerr studentët nga auditorët në rrugë. "Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të fillojë javën e re të punës me kërkesën që ministri i Arsimit të përgjigjet përpara Kuvendit, për këtë akt antiligjor dëmsjellës për të ardhmen e mijëra studentëve shqiptarë", u shpreh Ulqini.