E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, lirimi i Amandës, familja Kercher e indinjuar

Familja e studentes britanike të vrarë, Meredith Kercher, është shprehur e indinjuar pas vendimit të Gjykatës italiane të Apelit për lirimin e shtetases amerikane Amanda Knox dhe të dashurit të saj italian, Raffaele Sollecito.

“Nuk e kuptojmë se si vendimi origjinal u përmbys tërësisht. Megjithatë, ne besojmë tek drejtësia italiane dhe shpresojmë se e vërteta do të dalë në dritë”, është shprehur familja Kercher, në Peruxha për të ndjekur procesin.

Më herët para vendimit, familja britanike kishte deklaruar se vajza e saj ishte lënë në harresë për shkak të publicitetit mbi apelin e Amanda Knox, e cila e përlotur deklaroi në gjykatë se nuk kishte vrarë njeri dhe se dëshironte të kthehej në shtëpi.

Ndërkohë, prokurorët e çështjes do të apelojnë vendimin në gjykatën më të lartë të Italisë, edhe pse ka pak gjasa që Knox të ekstradohet në Itali nga SHBA.

Një juri me tetë anëtarë shfajësoi nga të gjitha akuzat dy të pandehurit për vrasjen e zonjush Kercher pas dyshimeve të ngritura mbi mënyrën e mbledhjes së ADN-së.

Tani, pas 4 vjet burg, studentja amerikane është e lirë dhe po bëhet gati të kthehet në shtëpinë e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›