Itali, një gomone me defekt pranë Pulias

(E plotësuar) - Mediat italiane njoftojnë se një gomone me defekt dhe me rreth 20 klandestinë në bord ndodhet pranë brigjeve të Pulias, ndërsa kanë nisur kërkimet për gjetjen dhe shpëtimin e njerëzve.
Nuk dihet nëse ky mjet është i njëjti me atë që po kërkohet prej mbrëmjes së kaluar, pas një alarmi SOS të dhënë prej Kanalit të Otrantos.
Kanë nisur kërkimet nga ana e Rojes Bregdetare, si dhe nga një helikopter zjarrfikës.
----
Zhduket në kanalin e Otrantos një gomone me 27 persona në bord, të cilët dyshohet se janë klandestinë.
Nuk ka asnjë informacion për kombësinë, moshën apo nëse ka gra dhe fëmijë në mjetin lundrues.
Sipas një njoftimi për mediat dhënë nga Drejtoria e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, rreth orës 20:50 të mbrëmjes së të hënës, gomonia ka lëshuar sinjalin SOS, pas të cilit menjëherë janë nisur drejt këtij rajoni dy anijet e gatshme të Rojës Bregdetare, nga bazimi i Pashalimanit dhe Porto-Palermos, të cilat kanë kryer operacion kërkimi në det deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
"Edhe pse kërkimet kanë qenë intensive, nuk është bërë e mundur gjetja e gomones, për arsye të mungesës së të dhënave të sakta të vendndodhjes, si dhe të zonës së gjerë ku u zhvilluan kërkimet", thuhet në njoftim.
Ndërkohë kërkime aktualisht në det po kryhen edhe nga pala italiane, shqiptare dhe dy helikopterë britanikë, të cilët ndodhen në territorin shqiptar në kuadër të stërvitjes “Albanian Lion-13”. Mësohet se mbrëmjen e kaluar deti ka qenë i qetë dhe dyshohet shkaku për alarmin të ketë qenë një defekt i gomones. / Top Channel/