E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, shqiptari arrestohet në anijen me 1600 kg drogë

Droga e bllokuar dje në Itali

Një shtetas shqiptar është vënë në pranga dje nga policia italiane në një peshkarexhë ku u sekuestruan 1600 kilogramë drogë e llojit marijuanë. Ngjarja ka ndodhur në Foxhia, ku Policia ka thënë se kapi drogën e destinuar për tregun italian. Policia ishte informuar për një transaksion droge dhe ka ndërhyrë në Manfredonia me ndihmën e skuadrës “Guardia di Finanza” të Barit dhe ka sekuestruar lëndën narkotike. Policia kishte mbajtur në vëzhgim anijen “Atlantis 1″, e cila dyshohet se ka mbërritur nga Shqipëria, por nuk u ankorua në Portin e Manfredonias. Aksioni është kryer me forca të pajisura me mjete lundruese dhe është mbështetur edhe me një helikopter. Nga kontrollet e kryera në bord u mësua se pronari i anijes ishte Micheleantonio Nenna, 57 vjeç, i cili shoqërohej nga Mateu Castriotta, 23 vjeç, të dy italianë, si dhe nga shtetasi shqiptar Guri Bushi, 40 vjeç. Policia tha se droga në masën e 1600 kilogramëve ishte fshehur në peshkarexhë pasi ishte vendosur në pako plastike. Në kabinën e drejtimit hetuesit gjithashtu sekuestruan një automatik AK 47, prodhim kinez, 60 fishekë, një pistoletë të kalibrit 7.65 me 30 municione të prodhimit çekosllovak, si dhe një armë që ishte pajisur me silenciator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›