Burrel-Klos, asfaltohet edhe rruga e vjetër

Ministri i Transporteve, Olldashi
Për aq kohë sa Rruga e Arbrit do të jetë në ndërtim, transporti nga Peshkopia në drejtim të Tiranës do të duhet të bëhet përmes rrugës ekzistuese, me një gjendje problematike, por për të cilën puna e rikonstruksionit ka filluar. Për të inspektuar punimet në aksin Burrel-Klos ishte dje ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Puna që sapo ka filluar në këtë rrugë pranë qytetit të Burrelit do të konsistojë në përmirësimin tërësor përpara sezonit të pritshëm dimëror. Në detaje, kreu i Transporteve u shpreh se segmenti që do të rikonstruktohet i pari është ai që lidh Bazin me Klosin në rrethin e Matit, segment ky që është edhe më i dëmtuari, kryesisht për shkak të makinave të tonazhit të rëndë që transportojnë kromin në drejtim të Portit të Durrësit. Në total, investimi për këtë rrugë parashikohet të ketë një kosto 82 milionë lekë dhe do të financohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Kompania fituese e tenderit ka filluar tashmë zbatimin. Olldashi tha se kjo ndërhyrje është pjesë e projektit për të mbajtur në një gjendje sa më optimale aksin e vjetër Milot-Burrel-Peshkopi, për sa kohë vazhdon ndërtimi i Rrugës së Arbrit, e cila përshkon një trajektore tjetër, shumë më të shkurtër se sa rruga ekzistuese.