Plumb në gjoks, polici italian vret shqiptarin

Makina ku u vra shqiptari Marjan Qerimi
Një shtetas shqiptar është vrarë nga policia italiane natën duke u gdhirë dita e djeshme. Viktima është shtetasi Marjan Qerimi, 24 vjeç, ndërsa ngjarja e rëndë ka ndodhur në Teramo. Mediat italiane shkruanin dje se i riu u ndalua nga policia në një automjet së bashku me dy persona të tjerë. Policia italiane dyshonte se makina me të cilën po lëvizte viktima ishte e vjedhur. Pas ndalimit për kontrollin e automjetit mësohet se ka qenë një agjent i Policisë italiane që ka shtënë mbi shqiptarin, duke i shkaktuar vdekjen. Autoritetet italiane kanë thënë se policia ishte duke gjurmuar një grup shqiptarësh të dyshuar për vjedhje në Kieti, Popoli e Peskara. Ndjekja ka vazhduar në Teramo, ku policia ka kërkuar të ndalojë për kontroll automjetin tip “Mercedes Benz”. Sipas Policisë, makina nuk ka ndaluar, madje ka ecur në drejtim të kundërt me sinjalin e dhënë nga forcat e rendit për më tepër se 150 metra. Burimet nga vendi i ngjarjes kanë thënë se komandanti i grupit të policëve ka shtënë në momentin kur është menduar se makina e shqiptarëve po largohej duke iu shmangur kontrollit. Evidenca e vendit të ngjarjes vë në dukje se shqiptari është qëlluar katër herë, por një prej plumbave e ka marrë në kraharor. Sipas Policisë, ai është transportuar menjëherë në spital, por ndihma e dhënë nuk e shmangu dot vdekjen. Edhe viktima ka pasur një armë me vete, por nuk u gjetën prova se ai ka tentuar ta përdorë kundër policisë. Shtetasi Marjan Qerimi, 24 vjeç, ka qenë objekt i një urdhri të Prokurorisë për të qëndruar në paraburgim më 11 korrik 2012 në lidhje me veprat penale në fushën e drogës. Burimet nga Policia italiane kanë thënë se shqiptari ka pasur me vete një armë tip pistoletë, model spanjoll, me kalibër 9 mm, e cila është gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes. Gjyqtari i gatshëm ka urdhëruar një autopsi e viktimës. Ndërkohë, burimet zyrtare u kanë thënë mediave italianë se në makinën “Mercedes CLS 320″ u gjetën mjete që përdoren për të kryer vjedhje, si dhe portofola, çanta, një laptop dhe materiale të ndryshme. Mediat italiane kanë shkruar dje se për oficerin që ka kryer vrasjen e shqiptarit është hapur një hetim, por rezultatet nuk janë bërë të ditura, ndërsa procesi vazhdon.