E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, shqiptari në arrest shtëpie, ndalon hajdutin e çantës

Shqiptarët tashmë nuk janë më të urryer në Itali. Përkundrazi, ata nga dita në ditë vazhdojnë që të bëjnë për vete italianët me gjestet e tyre. Në Bolonja, një 19-vjeçar shqiptar është bërë protagonist në mediat vendase. Dhe kjo për veprimin e tij të guximshëm dhe të veçantë për nga lloji e situata. E veçanta është se i riu ishte i dënuar nga gjykata italiane me arrest shtëpie, gjë që në bazë të ligjit italian, nuk e lejonte atë që të kalonte pragun e derës së banesës së tij. Ndryshe, kjo do të kishte pasoja nga ana ligjore. E megjithatë, ai ka neglizhuar gjithçka, kur ka parë se në rrugë, një maroken u afrua tek një vajzë italiane 22-vjeçare dhe i mori me forcë çantën, që kjo e fundit mbante në sup. Menjëherë 19-vjeçari ka dalë nga shtëpia, ka vrapuar tek hajduti dhe i ka kërkuar atij që të rikthente sërish çantën. Por duket se një gjë e tillë nuk është pranuar nga afrikano-veriori, dhe mes të dyve ka nisur një përplasje fizike. Shqiptari ka dalë më i fituar dhe ka arritur që t’ia marrë sërish çantën marokenin, i cili u largua me vrap nga vendi i ngjarjes. Ai ia ka dorëzuar sërish atë vajzës dhe ka lajmëruar policinë. Ata kanë ardhur menjëherë dhe pas ndjekjes së marokenit, kanë arritur që ta gjejnë atë. Por, teksa po tentonin që ta arrestonin, kanë hasur në kundërshtimin e tij, duke pësuar edhe disa goditje. Por për policët italianë nuk ka qenë e vështirë që të arrijnë t’i vënë prangat hajdutit 25-vjeçar dhe e kanë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit. Ndërsa, 19-vjeçari shqiptar ka marrë falënderimet, për gjestin e bërë dhe për ndihmën e dhënë në këtë ngjarje. Një lajm me të vërtetë i veçantë, që nuk bën gjë tjetër veçse tregon vlerat e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj. Në studimin më të fundit të bërë, emigrantët shqiptarë nuk janë më, më të papëlqyerit në Itali nga vendasit. Përkundrazi, ata gjithmonë e më shumë po e rrisin simpatinë dhe respektin nga ana e vendasve. Rasti më i fundit, ai i 19-vjeçarit, i dënuar me arrest shtëpie, që “theu ligjet” për të ndaluar një hajdut, tregon edhe njëherë se shqiptarët në vendin fqinj nuk janë më simbol i kriminelëve, por i njerëzve që i duan rregullat në këtë vend dhe luftojnë për t’i zbatuar ato.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›