E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaku: Ja si u vra nga grabitësit 8 vite më parë Gjon Paçuku

Vrasja e Gjon Paçukut 8 vite më parë në SMT nga banda e Mirditës është rindërtuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Bardhok Jaku, një prej efektivave të policisë Mirditë, ku mbeti i plagosur ditën e grabitjes, ka dëshmuar dje para turpit gjykues ngjarjen e 28 qershorit të vitit 2000. Ai ka treguar momentet, në të cilat edhe lajmëruar për grabitjen tek parkingu, pritën që i zunë dhe vdekjen në duart e tij të kolegut Paçuku. “Ora ishte 02:00 e mëngjesit të datës 28 qershor të vitit 2000. Në ato momente na lajmëruan në radio se po grabitej parkingu në SMT. Në makinë ishte edhe Gjon Paçuku”, - ka nisur të rrëfejë dje përpara trupit gjykues të Gjykatës së Krimeve të Rënda të kryesuar nga ana e gjyqtarit Bardhyl Dhama, dëshmitari Jaku. Sipas tij, sapo kanë arritur në vendngjarje kanë zbritur nga makina, pasi nuk kishin menduar se grabitësit ishin një bandë e vërtetë. Gjatë dëshmisë së dhënë nga ana e tij përpara gjykatës, efektivi ka bërë me dije se në ato momente kanë parë një person të maskuar, i cili iu ka hedhur një granatë. “Mbaj mend që një nga kolegët e mi ka qëlluar katër herë për ta parandaluar personin e maskuar që të mos qëllonte, por ai e hodhi granatën”, - ka vazhduar Jaku. Më pas mësohet se personi i maskuar ishte larguar me vrap, të njëjtën gjë kishin bërë edhe efektivat e komisariatit Mirditë. Por, gjatë momentit që ata ishin duke vrapuar, mbi ta është qëlluar me breshëri automatiku. “Në ato momente unë kam marrë dy plumba, një në shpatull dhe një në këmbë. Gjoni ka qenë afër kur ka shpërthyer granata. Kam dëgjuar në ato momente që “jam plagos, jam plagos”. Kam shkuar menjëherë aty. Ai nuk foli më”, - ka vazhduar dëshmitari. Sipas tij, menjëherë janë larguar me një fugon policie, që kishte tri goma të shpuara për në spital, por Gjoni Paçuku ka mbërritur i vdekur në spital. Të pandehurit të cilit ishin të pranishëm në seancë nuk kanë reaguar fare gjatë momentit të deklarimit të dëshmitarit. Në seancën e radhës do të dëshmojnë dëshmitarët e tjerë të akuzës. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë Dritan Ndoi (Syziu), Nikoll Syziu, Bardhok Syziu, Tom Syziu, Tom Gjoka dhe Arjan Reçi. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe akuzave të ngritura për bandën e Mirditës, të kryesuar nga Nikollë Syziu, veprimtaria kriminale e saj shtrihej prej fundit të vitit 1996 deri në vitin 2002, e ku ndër më të rëndat përmendet vrasja e punonjësit të policisë së komisariatit të Mirditës, Gjon Paçuku dhe plagosjen e rëndë të tre efektivave të tjerë policorë të po këtij komisariati: Nikoll Marku, Bardhok Jaku, Ndue Çupi. Dosja penale e kësaj ngjarjeje ka qenë “pa autor”, deri më 5 korrik 2007, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi në hetim procedimin penal dhe rifilloi hetimet, duke zbuluar prova e dëshmi të reja që tregonin autorët dhe motivet e krimit të tetë viteve më parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›