Itali, ska më burg për klandestinët, por dëbim
Emigrantët e paligjshëm në Itali nuk do të dënohen. Ato thjesht do të kthehen nga policia në vendin e tyre të origjinës. Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni. Gjatë një raporti para komisionit parlamentar ai u shpreh se “burgu do të zëvendësohet nga një sanksion penal që do t'i hapë rrugë dëbimit të menjëhershëm të të huajve pa dokumente në Itali”.
Projektligji fillestar parashikonte një dënim nga 6 muaj deri në 4 vjet burg. Siç njoftoi Agjencia Italiane e Lajmeve ANSA, më në fund qeveria italiane ka vendosur për heqjen e këtij neni kaq të polemizuar që kërkoi të vendoste Kryeministri Silvio Berluskoni. Me ligjin e ri parashikohet të largohen emigrantët që nuk kanë dokumente si dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar. “Do të merret edhe mendimi i Komisionit Evropian për dëbimin automatik të qytetarëve të BE-së që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme apo banesa fikse”, u shpreh Maroni. Arsyeja e ndryshimit të ligjit të emigracionit është mbipopullimi i burgjeve.
Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme italiane gjatë nëntë muajve të parë janë dëbuar mbi 6000 emigrantë të paligjshëm. Ndërsa mësohet se numri i klandestinëve ka shënuar vetëm rritje. Kështu nga fillimi i këtij viti e deri tani kanë hyrë në Itali mbi 27 mijë klandestinë ose 28 për qind më shumë se një vit më parë.