Vetëhelmohet adoleshentja e martuar
Lushnje - Një 17-vjeçare ka dashur t’i japë fund jetës me fotoksinë. Ajo është në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Lushnjës. Adoleshentja ishte e martuar në fshatin Allkaj të Lushnjës ku ka ndodhur edhe ngjarja. Mësohet se vajza nuk i ka duruar dot debatet në familje dhe si pasojë ka marrë vendimin fatal për t’u vetëflijuar. F.S. është e martuar dhe bashkëshorti i saj ndodhet në emigracion prej kohësh.
E gjendur në depresion ajo ka gëlltitur një tabletë fostoksine në një nga dhomat e shtëpisë ku ruante hapen helmuese. Pak minuta pasi ka nisur të veprojë helmi, vajza ka ndjerë vështirësi në frymëmarrje dhe ka kërkuar ndihmën e familjarëve. Ata e kanë dërguar në Repartin e Reanimacionit në Spitalin e Lushnjës. Aktualisht ajo është nën kontrollin e mjekëve të cilët konfirmojnë se pacientja është në gjendje mjaft kritike për jetën.
Asnjë nga familjarët që e shoqërojnë në spital nuk kanë pranuar të tregojnë arsyen që e çoi vajzën drejt vetëflijimit. Ndërsa policia po heton për të zbardhur të vërtetat e ngjarjes.