E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE nga Vjena kritika qeverisë: Përpjekje për të kontrolluar gjyqësorin

Në raportin e radhës për Shqipërinë, mbajtur në Vjenë, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch ka konstatuar një sërë problemesh. Proces zgjedhor i zvarritur dhe përpjekje për të kontrolluar gjyqësorin janë vetëm dy nga konstatimet negative të raportuara, ndërkohë që i ka sugjeruar qeverisë të mos ndikojë në hetimet për tragjedinë e Gërdecit.

Reforma zgjedhore

Reforma zgjedhore, sipas Bosch ka shënuar një farë përparimi gjatë vitit të fundit. Megjithëse procesi u zhvillua në mënyrë tejet të zvarritur nga shtatori 2007 deri në prill 2008, Kuvendi më në fund miratoi një sistem të ri zgjedhor. Qershori 2008 pa përurimin e një Komisioni të Posaçëm të tretë, këtë herë për të hartuar një Kod Zgjedhor të ri. Megjithëse aktorët kyçë kanë shpallur në mënyrë të përsëritur vullnetin e tyre politik për të rënë dakord për një Kod Zgjedhor brenda korrikut 2008, deri më sot procesi ka vazhduar i ngadaltë në pritje të miratimit përfundimtar nga ana e Kuvendit në tetor. Duhet kërkuar konsensusi më i gjerë i mundshëm dhe paketa për të cilën do të bihet përfundimisht dakord duhet të lejojë kohë të mjaftueshme për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Në prill 2008 Kuvendi miratoi ndryshime madhore në Kushtetutë. Amendamentet përfshinin: ndryshime në sistemin zgjedhur, kohëzgjatja e mandatit të Kuvendit, mbledhja e parë e Parlamentit të ri, heqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Kushtetuta, zgjedhja dha mandati i Presidentit, mocionet e besimit për Kryeministrin dhe një mandat kohor për Prokurorin e Përgjithshëm. Megjithëse disa ndryshime shtuan vlerat e megjithëse amendamentet u miratuan në mënyrë legjitime me një shumicë tri të pestat, disa nga ndryshimet shkaktuan shqetësime në lidhje me ndarjen e pushteteve. Miratimi i këtyre ndryshimeve u pasua nga një thirrje për referendum nga disa parti të opozitës dhe figura publike, por që më pas u refuzua nga KQZ-ja me një vendim i cili u ankimua pranë Gjykatës Kushtetuese dhe për të cilin tani pritet një vendim përfundimtar i Gjykatës.

Reforma gjyqësore

Sa i përket reformës gjyqësore, në shkurt 2008, sipas raportit të OSBE-së, u miratua një ligj kryesor për pushtetin gjyqësor i cili u pa si një përmirësim i rëndësishëm i procesit ligjor. Në qershor 2008, gjashtë vendet vakante për Gjykatën e Lartë ngjallën debat. U zhvilluan debate të ndezura në lidhje me çështjen nëse Presidenti veproi në mënyrë kushtetuese në procedurat e emërimeve për Gjykatën e Lartë. Qeveria argumentonte se Presidenti paraprakisht duhet të kishte hyrë në diskutime joformale me Kuvendin. Në të vërtetë, shumë vetë e panë votën pasuese kundër kandidaturave të Presidentit nga ana e Kuvendit si një votë politike përkundrejt vendimit të Presidentit për të mos hyrë në konsultime. Çështja u zgjidh vetë pasi Presidenti ngriti një grup ekspertësh për të përcaktuar një paketë kriteresh që duheshin përmbushur nga grupi i kandidatëve të ardhshëm, të cilët më pas u miratuan. Ngritja e grupit të ekspertëve qetësoi situatën dhe për këtë i duhet dhënë meritë e madhe Presidencës që e propozoi këtë ide. Në korrik 2008, Ministria e Drejtësisë përfundoi përgatitjen e projekt-ndryshimeve për ligjin për Prokurorinë dhe në shtator 2008 Kuvendit iu dërgua për shqyrtim një projektligj për administratën gjyqësore. Deri më sot, dy projektligjet, të cilat synojnë të luftojnë korrupsionin brenda gjyqësorit, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve dhe ato nuk u diskutuan si duhet me aktorët kyçë përpara se të paraqiteshin zyrtarisht. Në përgjigje të kritikave nga bashkësia kombëtare, tani po zhvillohen konsultime.

Kritika ka pasur Bosch edhe për projektligjet për Profesionin e Avokatit dhe Noterit, Gjykatat Administrative dhe Shërbimin e Përmbarimit me qëllim, siç pretendohet, që ta përafrojë legjislacionin kombëtar me standardet e BE-së. “Megjithëse është ende herët për të komentuar mbi hollësitë e këtyre ligjeve, mund të vërehet se ato u miratuan ose pa iu nënshtruar një procesi të plotë konsultimi publik ose duke shpërfillur komentet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare”- tha ai.

Për Gërdecin

Në mars 2008, një sërë shpërthimesh në një depo municionesh ushtarake pranë Tiranës (Gërdec) vranë 26 persona dhe lënduan 300 të tjerë ndërsa u shkatërruan edhe mijëra shtëpi. “Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim të plotë, i cili është në vazhdim. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës”- tha ai.  Në korrik 2008, imuniteti parlamentar i ish-Ministrit të Mbrojtjes u hoq për t’i hapur rrugë hetimeve mbi rolin e tij. Në përpjekjet për rindërtimin e zonës, Qeveria ndërmori masa madhore duke zhvilluar një strategji koherente pas-rindërtim. Sa i përket sigurisë së zonës, bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit të respektohet si zonë e ndaluar, për aq kohë sa të certifikohet si zonë e sigurt nga ekspertë të huaj të pavarur.

Rendi

Sa i përket çështjeve të përgjithshme të rendit, përfshirë Policinë e Shtetit, arritja më e madhe e Qeverisë ka qenë miratimi i ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Synimi kryesor i ligjit të ri është ndarja e përgjegjësive politike nga ato operative. Megjithatë, ka pasur shumë raste, sidomos në fushën e emërimeve dhe largimeve, ku vendimet janë marrë nga instanca të larta politike. Administrata Publike

Në administratën publike, viti i fundit, sipas Bosch pa përsëri një rotacion të konsiderueshëm në organikë, duke vazhduar të mbetet problem niveli i përkatësisë partiake i përdorur në procesin e rekrutimit. Megjithëse një numër i madh i të larguarve janë ankuar me sukses pranë Komisionit të Shërbimit Civil dhe më pas i kanë fituar çështjet e tyre në Gjykatën e Apelit, vetëm një numër i vogël rastesh njihen ku individët janë kthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës. Në radhët e policisë, megjithëse shumë prej largimeve mund të kenë qenë të justifikuara, disa nga procedurat e përdorura për largimin e tyre janë parë si jo-transparente. Për më tepër, bashkësia kombëtare ka vërejtur se si shuma të mëdha të parave të donatorëve janë shpenzuar për të trajnuar shumë zyrtarë të policisë, vetëm për të parë më pas se si këta persona janë larguar dhe janë zëvendësuar nga njerëz të rinj, të cilët më pas duhet të trajnohen nga e para.

Pronat

Për sa i përket vetë reformës së pronave, çështjet e pazgjidhura të pronës kanë penguar përpjekjet për të zhvilluar një treg trojesh funksional dhe kanë frenuar investitorët e huaj. Boshllëqet në skemën ligjore që rregullon procesin e regjistrimit të parë të pronës kanë penguar një qasje strategjike për të rregulluar statusin e pronave në Kodin Civil në mënyrë që Sistemi i Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme (SRPP) të mund të lëshojë tituj pronësie të garantuar. Në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit, mund të bëhet më shumë për të rritur transparencën dhe për të përshpejtuar më tej procesin. Duhet kryer një vlerësim i kërkesave në pritje të paraqitura pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) dhe procedurat zbatuese duhen përmirësuar për të rritur efikasitetin. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›