Të përndjekurit, protesta në përkujtim të diktatorit
Tiranë -Në ditëlindjen e 100-të të diktatorit Enver Hoxha, të përndjekurit politikë kanë protestuar para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë për rehabilitimin që po i bëhet figurës së tij. Qindra përfaqësues të kësaj shtrese kanë bllokuar për më shumë se dy orë hyrjen në Kuvend, duke kërkuar nga deputetet, që të dënojnë një herë e mirë krimet e komunizmit në Shqipëri. Në mungesë të një reagimi zyrtar për kërkesat e tyre, ata kanë tentuar që të ‘çajnë’ kordonin e policisë dhe të kalojnë brenda ambienteve të Kuvendit.
Protesta e të përndjekurve politikë ndaj figurës së Enver Hoxhës në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë ka detyruar Kryeministrin Sali Berisha që të ndërrojë rrugë. Pasi ka mbajtur një fjalë të shkurtër gjatë seancës plenare, kryeministri Berisha dhe eskorta shoqëruese e tij janë drejtuar për t’u larguar nga hyrja kryesore e Kuvendit. Por në mes të rrugës që të çon në hyrjen e Kuvendit janë detyruar të kthehen pas, për të gjetur një dalje tjetër. Shkak është bërë pikërisht protesta që po zhvillonin shoqatat e të përndjekurve politikë, të cilët kishin bllokuar rrugën.