E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali,Akuila tronditet sërish nga tërmeti

"Mos hajdeni në Akuila. Është teatër i operacioneve të kërkim - shpëtimit. I lini rrugët të lira." Ky është apeli i lëshuar nga prefekti i kryeqendrës së Abrucos, Franko Gabrieli, i cili iu drejtohej personave që ndoshta kanë ndërmend të kalojnë Pashkët në Akuila, pasi duan të shikojnë vendin e goditur nga lëvizjet sizmike. "Moti i mirë po na favorizon , por nuk është koha e eskursioneve. Iu lutem njerëzve që të mos vijnë në Akuila, sepse këtu puna nuk ka mbaruar. Të gjitha forcat e impenjuara në operacionet e ndihmës kanë nevojë për hapësirë", shton ai. Ndërkohë, pas një nate të qetë, rreth orës 7 e 39 minuta të mëngjesit, janë ndjerë sërish lëkundje të reja të tokës në Abruco. Lëkundja e re ishte e paralajmëruar nga sizmiologët. Tërmeti ka qënë me një manjitudë prej 3.3 ballësh të shkallës Rihter dhe është ndjekur edhe nga dy të tjerë rreth orës 9:00. Departamenti i Mbrojtjes Civilie bëri të ditur se epiqendra e dridhjeve të reja ka qënë Akuila, Picoli dhe Fosa. Dhe ndërkaq, fatkeqsisht vazhdon të rritet bilanci i viktimave, duke kapur shifrën 291. Në Akuila është gjetur edhe një trup tjetër i pajetë, që i përket një të moshuare. Por ekipet e shpëtimit bëjnë të ditur se puna për të gjetur të tjerë trupa është akoma e gjatë. Tashmë kanë kaluar plot pesë ditë nga lëkundja e parë e tokës në Abruco dhe shpresat për të gjetur persona akoma në jetë sa vijnë e shuhen. Ndërkohë, kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni është shprehur mjaft i prekur nga kjo tragjedi, që është ndjekur hap pas hapi prej tij cdo ditë. Miliarderi italian ka deklaruar se ka vënë në dispozicion të gjitha apartamentet e tij për të pastrehët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›