Italia akuzon Indine se po shkel ligjet diplomatike
Italia ka akuzuar Indinë se po shkel ligjet ndërkombëtare dhe diplomatike duke mos njohur imunitetin e ambasadorit italian në Nju Delhi, i cili është penguar të largohet nga vendi. Ministri i jashtëm italian ka deklaruar se ky është një dhunim i qartë i konventës së Vienës për sa i përket marrëdhënieve diplomatike. Të hënën gjykata e lartë indiane kishte dhënë vendimin se imuniteti i ambasadorit italian nuk ishte më i vlefshëm. Reagimi ka ardhur pas refuzimit të Romës për të lejuar kthimin e dy marinarëve italianë të cilët akuzohen për vrasjen e dy peshkatarëve indianë. Marinarët u lejuan të ktheheshin në Itali për të votuar me premtimin se do të riktheheshin në Nju Delhi për tu përballur me procesin gjyqësor. Kishte qenë vetë ambasadori Mancini që kishte dhënë garanci për ata.