Kryeministri Berisha pret familjarë të komandove shqiptare në Irak
Familjarë të trupave shqiptare komando, që veprojnë në përbërje të koalicionit antiterror në Irak, u pritën të premten pasdite nga kryeministri Sali Berisha. Z.Berisha zhvilloi dy ditë më parë një vizitë në vendqendrimin e komandove shqiptare në Mosul, ku u takua personalisht me paqeruajtësit tanë. Pas kthimit nga Iraku, z. Berisha ftoi në zyrën e tij familjarë të trupave komando, për t'i njohur personalisht me gjendjen e trupave tanë atje dhe për t'i shprehur mirënjohjen për misionin fisnik të tyre në emër të lirisë dhe paqes. "Ju ftova sot në zyrën time t'ju sjell përshëndetjet, t'ju siguroj se djemtë janë shumë mirë dhe përmbushin me nder të madh detyrën, duke nderuar veten, familjet e tyre, Shqipërinë dhe çdo shqiptar. Ata janë shumë të vetëdijshëm dhe krenarë për detyrën që përmbushin", tha kryeministri. Duke vlerësuar kontributin që edhe trupat shqiptare dhanë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të fundit në Irak, z.Berisha tha se "këto ishin zgjedhjet e vërteta pluraliste për popullin irakian dhe kjo përbën një shans për çdo ushtar, një mision të madh për të kontribuar në lirinë e këtij kombi dhe ushtarët tanë po e kryejnë me përgjegjësi të madhe këtë detyrë. I gjeta në një harmoni të plotë me komandën e tyre, por dhe në një harmoni dhe mirëkuptim të plotë me komandën amerikane, e cila shprehu fjalë të shkëlqyera për bijtë dhe bashkëshortët tuaj, në Mosul".
Duke shfrytëzuar këtë takim, z. Berisha i uroi prindërit, të afërmit dhe gjithë ushtarët tanë në Irak, Afganistan, Bosnje, në Shqipëri, kudo ku ndodhen, gëzuar festat e fundvitit. Sëbashku, tha z.Berisha, do t'i presim në aeroport në ditën e kthimit dhe do të përcjellim të tjerë, sepse "ne jemi të vendosur të qendrojmë në Irak aq sa të jetë e nevojshme". "Dua t'ju siguroj, shtoi z.Berisha, se ne do të përpiqemi që të ndryshojmë jetën e qytetarëve tanë në mënyrë që sakrifica e tyre njerëzore dhe e respektuar, të justifikohet plotësisht nga puna e qeverisë dhe në tërësi nga shoqëria jonë." Me rastin e festave të fundvitit, të ftuarve iu dha një dhuratë simbolike.