E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia masa te reja kunder evazionit fiskal

Lufta kundër evazionit fiskal në Itali vijon të mbetet një nga prioritetet në programin antikrizë të qeverisë Monti. Autoritet fiskale kanë nisur një program pilot kundër evazionit, i cili bazohet në një instrument të ri të quajtur matësi i të ardhurave familjare. Duke u bazuar në një analizë të më shumë se 100 zërave të shpenzimeve financat italiane do të mund të zbulojnë të ardhurat familjare. Instrumenti i ri do të shërbejë për të kuptuar nivelin e të ardhurave në bazë të aftësisë që ka një familje për të bërë shpenzime. Pra nga shuma që një familje harxhon gjatë blerjeve. Aktualisht ky mjet është në eksperimentim duke analizuar të dhënat e më shumë se 22 milionë familjeve italiane apo 50 milionë subjekteve. Eksperimenti pritet të përfundojë brenda muajit shkurt dhe sipas autoritetit të Agjencisë së hyrjeve do të aplikohet brenda gjysmës së parë të vitit 2012. Në agjencinë e regjistrimit të të ardhurave, gjatë vitit 2011 kanë hyrë 11,5 miliardë euro nga lufta kundër evazionit fiskal. Gjatë vitit të kaluar janë kryer më shumë se 2 milionë kontrolle financiare. Funksionarët e financave duke monitoruar kasat fiskale të lokaleve në qendër të Milanos, vetëm në një natë në fundjavë kanë vërejtur se xhiroja është shtuar gati dy herë më shumë se sa ato të rregjistruara ne po keto lokale jashtë kontrollit. Por sipas financave italiane pranvera do të shënojë një aksion të madh ndaj evazionit edhe me kontrollin e llogarive bankare, me deklarimin e të ardhurave dhe kontrollet masive në të gjithë territorin italian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›