E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia mbështet hapjen e shërbimit me shtretër pranë SOB në Tiranë

Italia do të mbështesë hapjen e shërbimit me shtretër ditorë pranë Shërbimit të Onkologjisë në Banesë (SOB) në Tiranë, bëri të ditur sot për mediat drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj. Gjatë një konference për shtyp, Gecaj tha se "edhe pse ky shërbim ekziston në Tiranë, ka ardhur koha që ai të zgjerohet dhe përmirësohet". Për këtë, në kuadër të projektit të trajtimit të të sëmurëve me probleme onkologjike, konkretisht për trajtimin paliativ dhe dhimbjen, mjekët e SOB në Tiranë zhvilluan një vizitë pune në Salerno (Itali), nga data 15-21 shkurt. "Mjekët u përfshinë në kursin e formimit për trajtimin paliativ dhe dhimbjen, të organizuar nga pala italiane në ‘Osppedale territoriale senza dolore" në Eboli, për të cilën morën dhe çertifikatat me vlerësimet maksimale", tha z. Gecaj. Sipas tij, gjatë këtyre ditëve u bë i mundur shkëmbimi i eksperiencës, ku mjekët tanë treguan aftësitë dhe profesionalizimin në trajtimin e të sëmurëve me probleme onkologjike, ndërsa morën njohuritë e duhura për trajtimin ditor me shtretër (OSPIN). Ai bëri të ditur se në javën e parë të qershorit, Presidenti i Giffoni Festival Film, Claudio Kubitosi dhe Presidentja e Fondacionit Aura, Alfonsina Novellino, me një grup mjekësh italianë, do të jenë në Tiranë për të parë nga afër realitetin dhe për të konkretizuar marrëveshjen e bashkëpunimit për SOB-in. Me këtë rast, z. Gecaj falenderoi "ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, për gatishmërinë dhe mbështetjen ndaj këtij projekti, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, për vendosjen e kontakteve me palën italiane, në veçanti znj. Liri Berisha për impenjimin maksimal për finalizimin e këtij projekti". Një falenderim të veçantë, ai përcolli për palën italiane për mbështetjen dhe bashkëpunimin në drejtim të kualifikimit të mëtejshëm të mjekëve tanë në fushën e onkologjisë. Vizita e mjekëve tanë të SOB-it në Itali dhe vlerësimet në trajnimet e zhvilluara patën jehonë dhe në shtypin italian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›