E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Kulturës shpalli sot tre personalitetet e vitit 2009

Poeti Lasgush Poradeci, skulptori Odise Paskali dhe këngëtarja Vaçe Zela janë shpallur sot tre personalitetet e vitit 2009 nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Drejtoresha e Artit në MTKRS, Joli Eleni Gjoveku, tha në një konferencë për shtyp, se "viti 2009 shënon një numër të konsiderueshëm përvjetoresh të personaliteteve të rëndësishme të artit në të gjitha gjinitë e tij. Por këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, duke iu referuar përvjetorëve të personaliteteve të artit të kulturës, u përzgjodhën tre emra që me krijimtarinë e tyre kanë dhënë një ndikim të ndjeshëm në kulturën tonë kombëtare". Në fushën e letrave MTKRS shpalli "Vitin Lasgush Poradeci", për nder të veprës së tij dhe 110 vjetorit të lindjes. Në fushën e arteve figurative u shpall "Viti Odise Paskali", në nder të veprës dhe 105 vjetorit të tij të lindjes. Ndërsa në fushën e interpretimit u shpall "Viti Vaçe Zela", për nder të figurës së saj të pazëvendësueshme në muzikën e lehtë shqiptare dhe 70 vjetorit të lindjes. Në nderim të tre personaliteteve, Ministria e Kulturës do të organizojë një sëri aktivitetesh përgjatë këtij viti. Ermir Nika, shefi i sektorit të letrave në MTKRS, tha se "presim bashkëpunim dhe me iniciativa individuale të qytetarëve, që do i dhuronin më tepër ngjyra dhe bukuri organizimit të aktiviteteve." Përzgjedhja e Personaliteteve të Vitit realizohet në sajë të një sondazhi të bërë nga të gjitha institucionet në vend, prej të cilave propozohen emrat e personaliteteve të artit e kulturës, në kuadër të përvjetorëve të secilit prej tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›