E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia mbeshtet integrimin e Shqiperise ne BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, gjatë vizitës së tij në Bruksel pati një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi. Në qendër të takimit ishte ecuria e deritanishme e bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet politike dhe ecuria e procesit të integrimit evropian  të Shqipërisë etj.

Ministri Panariti falenderoi Ministrin Terzi për ndihmën e vazhdueshme që Italia ka dhënë dhe vazhdon ti japë Shqipërisë, si në planin dypalësh ashtu edhe kuadrin e proceseve të integrimit europian. Ministri Terzi ka rikonfimuar edhe njëherë angazhimin e Italisë në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Shqperise, por e vuri theksin tek rëndësia që merr plotësimi i të gjitha rekomandimeve të vendosura nga ana e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Italia do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrmit ne BE, por është e rëndësishme që vetë klasa politike shqiptare të angazhohet fuqimisht në këtë proces.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u trajtua gjatë këtij takimi ishte bashkëpunimi midis dy vendeve në drejtim të realizimit të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP). Ministri Panariti e njohu homologun e tij italian me përpjekjet që po bën pala shqiptare në drejtim të plotësimit e të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor që ka të bëjë me këtë vepër të rëndësishme për vendet e përfshira në të. Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë e qeverive respektive, për të përfunduar sa më shpejt që të jetë mundur procedurat e nevojshme  për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë për gazsjellësin TAP.

Në përfundim, të dy ministrat diskutuan lidhur me situatën aktuale në Lindjen e Mesme, ku shprehën shqetësimin mbi përshkallëzimin e tensionit në Rripin e Gazës dhe nënvizuan nevojën e ndërprerjes së dhunës dhe rinisjes së dialogut mes palëve të përfshira në konflikt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›