E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia miraton interkonjeksionin me Shqipërinë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Scajola, firmos për linjën e interkonjeksionit Bari jug – Babicë 400 kV

Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Italisë, firmosi dje autorizimin për ndërtimin e 10 linjave të reja të infrastrukturës energjetike, mes të cilave edhe linjën tregtare të interkonjeksionit elektrik që do të lidhë qytetin e Brindizit me nënstacionin e Vlorës, - njoftuan dje agjenci të ndryshme italiane. Ministri i Ekonomisë, Claudio Scajola, firmosi lejet për disa gazsjellës, mes të cilëve edhe një gazsjellës të ri me Algjerinë. Interkonjeksioni me Shqipërinë do të jetë me rrymë të vazhduar. Do të përshkojë 155 kilometra nën det në kanalin e Otrantos, i aftë për të transportuar 500 MW. Ai do të shërbejë për të dërguar në Itali energjinë e prodhuar me anë të centraleve eolike që janë planifikuar të ndërtohen në Karaburun dhe Llogara. Nëse realizohet, ky projekt pritet të kushtojë 190 milionë euro. Projekti është miratuar më herët nga qeveria shqiptare në janar të këtij viti. Sipas Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, linjat tregtare të ndërtuara nga privatët duhet të vënë në dispozicion të Operatorit të Transmetimit 20% të kapacitetit, ndërsa pas 20 vjetësh kalojnë nën pronësi publike. Kompania siciliane që ka propozuar projektin, synon që në të ardhmen të përdorë këtë linjë edhe për tregti të energjisë mes dy brigjeve të Adriatikut.

Bashkimi Europian ka vendosur një prioritet disa vite më parë për të integruar Ballkanin, por veçanërisht Mesdheun jugor, me rrjetin e saj energjetik, si hapi i parë i krijimit të një rrjeti të përbashkët Europë-Afrikë. Disa kompani italiane janë në garë për të përfituar nga subvencionet nga kjo politikë. Mondiaca, ka fituar në Shqipëri autorizimin për ndërtimin e një parku gjigant të energjisë së Erës në Karaburun. Sipas agjencisë Ansa, do të jenë impiante të energjisë së erës me fuqi të instaluar prej 500 MW që do të kushtojnë 750 milionë euro. Ky është një projekt pesë herë më i madh se i gjithë aktiviteti ekzistues i kësaj kompanie, e cila ka aktualisht në punë rreth 105 MW kapacitete për prodhim energjie. Shqipëria ka eksperiencë të gjerë me kompani italiane që kanë aktivitet të kufizuar, por marrin përsipër investime të përmasave të mëdha.

Në konkurrencë me linjën Seman-Brindizi

Linja e interkonjeksionit e miratuar dje nga qeveria italiane, është në konkurrencë me linjën tjetër të interkonjeksionit që duhet të lidhë Semanin me Brindizin për të bërë funksional projektin e termocentraleve të Semanit. Për më tepër, linja e miratuar do të shërbejë para së gjithash për të transferuar në Itali energjinë e prodhuar nga era në Shqipëri, nga e cila ne kemi përfitime të papërfillshme. Qeveria miratoi javën e kaluar një vendim për t’i dhënë kompanisë Italiane Moncada 100 hektarë tokë për vendosjen e impianteve eolike dhe të rrugëve përkatëse. Linja tjetër e interkonjeksionit duhet të lidhë Fierin e Brindizin dhe sipas projektit do të kushtojë 350 milionë dollarë, do të jetë 340 kilometra e gjatë dhe do të ketë kapacitet 1000 MW në tensionin 400 kV.

Një treg spekulantësh

Moncada ka fituar lejet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar impiante për prodhimin e energjisë nga era me kapacitet të instaluar 500 MW. Këto lloj projektesh nuk janë ekonomikisht të leverdishme, por kanë filluar të funksionojnë gjatë viteve të fundit për shkak të subvencionimeve të bollshme të Bashkimit Europian si dhe vendosjes së sistemit të krediteve të ndotjes, nga disa vende të BE-së. Italia ka vendosur sistemin e certifikatave të energjisë së pastër, gjë që nënkupton që ndotësit e ambientit në Itali duhet të paguajnë para te prodhuesit e energjisë pa ndotje.

------------------------------------------Kriza

Bankat të shqetësuara nga kostoja e punës

Rritja e kostos së punës për njësi duket se është përshpejtuar dukshëm në të gjitha vendet e zhvilluara gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke shqetësuar bankat qendrore, të cilat besojnë se rritja e kërkesës për paga më të larta do të shtojë edhe presionet inflacioniste. Të dhënat e Publikuara nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, tregojnë se kostoja e punës është rritur në vendet e saja anëtare me 0.5%. Kostoja e punës për njësi tregon se sa paguhen punonjësit për çdo njësi mall të prodhuar. Kur kostoja rritet, kompanitë duhet ose të rrisin eficencën, ose të shkurtojnë vende pune, ose të rrisi çmimet. OECD është një klub vendesh të pasura. Disa banka qendrore nga OECD kanë paralajmëruar se do të detyrohen të rrisin më tej interesat nëse rritja e kostos së punës vijon. Rritja e kostos së fundit erdhi pas një periudhe të gjatë ku tendenca qe në ulje. Kjo qe rritja më e fortë e këtij treguesi që nga viti 2001. Në sektorin e shërbimeve, kostoja e punës u rrit me 0.7%, ndërsa në sektorin industrial me 0.3%. Në Kanada, Norvegji e Australi, u vërejtën rritjet më të larta, ndërsa në Kore dhe Austri, kostoja e punës u ul ndjeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›