Bashkimi PD-PDR, Bregu: Lëvizje pozitive
TIRANË- Ashtu siç është paralajmëruar nga zyrtare të lartë të PDR-së shkrirja mes kësaj partie dhe Partisë Demokratike pritet që të konkretizohet në muajin Shtator. Një lëvizje e tillë është mirëpritur në dukje jo vetëm nga lidershipi i PD-së, por edhe nga përfaqësues të KOP-it, që sot janë të angazhuar jo pak në strukturat e PD-së, por edhe në qeverisjen e saj. Majlinda Bregu, aktualisht Ministre e Integrimit, është një prej tyre, e cila mirëpret çdo mundësi bashkimi, edhe pse në deklaratën e saj nuk fsheh edhe ndonjë notë ironie.“Çdo lloj force politike dhe sikurse çdo lloj organizate dhe grupime njerëzish që nuk ngelet në një gjendje, le të themi të palëvizshme, pra nuk është një gurë i palëvizshëm por është gjithmonë në lëvizje, ka më shumë premisa dhe shanse për të sjellë zhvillime pozitive”, - tha dje Bregu. Zëdhënësja e qeverisë njëkohësisht edhe Ministre e Integrimit, edhe për vetë postin që mban, në deklaratën e saj shprehet se pak është shqetësuese për të përbërja e qeverisë, duke u shprehur e sigurt se kabineti aktual i ka arritur deri më tani reformat e kërkuara. “Përbërja e qeverisë nuk është shqetësimi im i përditshëm. Ajo që më intereson mua është që qeveria e formatuar në këtë format të sotëm, e formatuar me ndryshime ose jo, pak rëndësi ka për mua kjo gjë, por të jetë në gjendje që të prodhojë me efikasitet dhe të plotësoje reformat kryesore që duhen në këtë proces. Besoj se deri më tani ia ka arritur”,- tha ajo. Në fakt riorganizimi i se djathtës dhe ndryshimet e reja në qeveri janë dy çështje të cilat kanë hapur jo pak debat brenda së djathtës. Lidershipi zyrtar i PD-së ka mirëpritur çdo mundësi bashkimi me partitë që kanë lindur prej saj, ndërkohë që ka zëra të tjerë të cilët kërkojnë falje nga ish-at, të cilët, sipas tyre afrohen sa here që në PD ka zgjedhje parlamentare. Ndërkohë, dy ditë më parë, Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, vlerësoi se mbeten të hapura të gjithë opsionet e rikonfigurimit të së djathtës. “Mendoj se ndërtimi ose ristrukturimi dhe modaliteti i funksionimit të djathtës, të partive politike të së djathtës, qoftë në një proces shkrirjeje të brendshme të disa prej tyre, qoftë në një modalitet të krijimit të një strukturimi më funksional, janë të domosdoshme”,- u shpreh Gjana, dy ditë më parë.