Italia ngre traun për transportin shqiptar
I jepet zgjidhje konfliktit më të madh tregtar mes dy vendeve fqinje, Shqipëri-Itali, pas negociatave të kryera nga ministritë e linjës të Transportit. Eksportuesit shqiptarë e kishin të vështirë të lëviznin lirshëm në territoret italiane, pa pasur të ashtuquajturin “foglio di prescrizione”, dokument që përcaktonte itinerarin e udhëtimit. Apeleve të shumta nga biznesi vendas për një liberalizim të lëvizjeve, ministri Sokol Olldashi u është përgjigjur me nisjen e negociatave dhe me zgjidhjen e problemit, pasi qeveria italiane e ka shfuqizuar vendimin. Të dyja vendet kishin nënshkruar vite më parë marrëveshjen e tregtisë së lirë, por pasja e këtij dokumenti konsiderohej handikap, pasi nuk i lejonte transportuesit shqiptarë të lëviznin në destinacionet e nevojshme, por ishin të kufizuar deri në 400 km nga pika e hyrjes, si dhe të caktonin qartë vendin e shkarkimit dhe furnizimit të mallit.
“Ky dokument përjashtonte mundësinë e marrjes së ngarkesave jashtë vendeve të destinacionit, ku në mjaft raste ka shkaktuar kthimin bosh apo me ngarkesë jo të plotë në Shqipëri”, deklaroi dje zyra e shtypit në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit. Sipas Ministrisë shqiptare të Transportit, heqja e këtij dokumenti është e njëjtë me heqjen e barrierave jofizike të palës italiane në drejtim të kamionistëve shqiptarë, duke ua bërë udhëtimin më fleksibël, dhe që ul në mënyrë të ndjeshme numrin e kontrolleve ndaj tyre, nga policia italiane, dhe koston e transportit. “Këta elementë përbëjnë një hap të rëndësishëm në lehtësimin e kalimeve të kufirit për kamionistët shqiptarë”, deklaron ministria.
Heqja e këtij dokumenti ka qenë dhe një kërkesë e Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave, “ANALTIR”. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, qeveria italiane bën dhe një hap tjetër në drejtim të liberalizimit të procedurave në fushën e transportit rrugor.
Pala italiane vë në dijeni se si rezultat i një mbledhjeje ndërministeriale të Ministrisë së Transporteve, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Doganave, mbajtur në Romë, është hequr e ashtuquajtura “foglio di prescrizione”.
Të dyja vendet kryejnë një volum të lartë të tregtisë me jashtë, prandaj ministritë përkatëse e panë të arsyeshme heqjen e barrierave. Sipas INSTAT, për muajin prill, tregtia me Italinë kishte një peshë eksporti prej 52.1 për qind dhe importi rreth 25.8 për qind. Në katër muajt e parë të vitit, volumi tregtar mes dy vendeve kapte një shifër prej rreth 60 miliardë lekësh.