Autoriteti i Konkurrencës bllokon hetimin për monopolet
Tregu i komunikimit elektronik, tregu farmaceutik, tregu i profesioneve të lira, tregu i sigurimeve dhe tregu i energjisë abuzojnë me rregullat e konkurrencës. Në këto tregje pothuajse të gjitha çmimet e shërbimeve janë caktuar në mënyrë monopolistike. Këto shërbime përfaqësohen nga një kompani e vetme
ose numër shumë i kufizuar firmash duke garantuar fitime kolosale në treg në kurriz të konsumatorëve shqiptarë, të cilat nuk kanë alternativa zgjedhje dhe për këtë shkak çmimi i shërbimit nuk përcaktohet nga kërkesë-oferta, siç ndodh në të gjithë tregjet e tjera.
Çmimet monopolistike
Polica e sigurimit të detyrueshëm TPL, tarifën e të cilës kompanitë e sigurimeve e kanë caktuar në marrëveshje të hapur me njëra-tjetrën, është një prej shërbimeve që cenon drejtpërdrejt interesat e konsumatorëve. Autoriteti i Konkurrencës edhe pse ka konstatuar shkelje në përcaktimin e çmimit, nuk ka marrë masë administrative. Ndërkohë që legjislacioni shqiptar i njeh të drejtën e vendosjes së gjobave deri në 10 për qind të xhiros vjetore. Një tjetër treg ku Autoriteti i Konkurrencës nuk ka ndërhyrë me masa shtrënguese për rregullimin e tij është tregu i telefonisë celulare dhe fikse në vend. Telefonia fikse është monopol i Albtelekom, çmimi për instalimin dhe shërbimin përcaktohet ekskluzivisht nga kompania. Ndërsa Autoriteti i Konkurrencës nuk ka marrë asnjë masë për rregullimin e këtij tregu për përcaktimin e marzhit të fitimit për të mbrojtur interesat e konsumatorëve. Gjithashtu treg problematik mbetet tregu i telefonisë së lëvizshme. Megjithëse në këtë treg operojnë tre kompani tarifat e shërbimit në Shqipëri janë pesë herë më të larta se për të njëjtin shërbim në vendet më të zhvilluara të botës, ku dhe të ardhurat për frymë janë dhjetëra herë më të larta se të shqiptarëve.
Fitimet e kompanive
Kompanitë monopolistike në Shqipëri regjistrojnë fitime rekord. Bilancet janë bërë publike çdo fund viti nga vetë operatorët në tregje, të cilët pasqyrojnë fitimet që realizojnë me anë të çmimeve abuzuese e monopolistike. Kompanitë e sigurimeve në periudhën janar - prill 2010 arritën rreth 2,732 milionë lekë, ose rreth 3 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-prill 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 189,557 duke shënuar një ulje prej rreth 17.81 për qind krahasuar me janar - prill 2009. Sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 53 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 47 për qind të totalit të tregut. Rritje të fitimeve nga njëri vit në tjetrin kanë siguruar edhe operatorët e telefonisë celulare me gjithë pretendimet e autoriteteve rregullatore për përafrimin e tarifave me ato të bashkimit Evropian.
Shpenzimet për konsumatorët
Shqiptarët kanë shpenzuar për të komunikuar rreth 50 miliardë lekë gjatë vitit 2009. Të dhënat më të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare bëjnë fjalë për një rritje të konsiderueshme të abonentëve të kompanive të telefonisë së lëvizshme gjatë dy viteve të fundit. Madje AKEP raporton se kjo shifër është tre për qind më e ulët se ajo e vitit të kaluar, por përkundrazi numri i abonentëve ka pësuar një rritje mjaft të lartë me rreth 1.2 milionë përdorues vetëm gjatë vitit 2009. Numri i abonentëve që janë të regjistruar në të tri kompanitë celulare në vend arrin në 4.1 milionë përdorues. Në vitin 2007 ky numër arrin në 2.3 milionë, ndërsa rritjen më të lartë të abonentëve telefonia celulare do ta njihte në vitin 2009 me plot 4.16 milionë përdorues. Sipas të dhënave që pasqyrohen në raportin vjetor të AKEP-it, pjesa dërrmuese e abonentëve të telefonisë së lëvizshme, rreth 94 për qind e tyre janë përdorues të paketave tarifore me parapagim, ndërkohë vetëm 6 për qind janë përdorues të numrave me kontratë. Për shkak të ofertave të ndryshme që kanë bërë kompanitë gjatë vitit të shkuar, vërehet një rritje e ndjeshme e thirrjeve brenda rrjetit. Kështu, rritja e numrit të përdoruesve të celularëve ka shtuar konsumin për abonent. Nëse gjatë vitit 2008 mesatarisht çdo abonent ka konsumuar në muaj rreth 30 minuta bisedë, gjatë 2009 kjo shifër është dyfishuar. Shqipëria ka nivele penetrimi të telefonisë celulare më të lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas AKEP gjatë vitit 2009 numri i përdoruesve për 100 banorë arriti në 129 për qind krahasuar me 119 për qind të është mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian.
Aeroporti Nënë Tereza, monopol i kompanisë gjermane për 20 vjet
Aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri i është dhënë më koncension për 20 vjet një kompanie e gjermane, e cila ka nënshkruar me qeverinë shqiptare monopolin për këtë shërbim për 20 vjet. Asnjë fluturim nuk mund të kryhet në hapësirën shqiptare në rast se avionët nuk do të parkohen në kalatat e aeroportit Nënë Tereza Sikurse e parashikon marrëveshja aktuale me koncesionarin gjerman, deri në vitin 2025, në Shqipëri nuk duhet të funksionojë asnjë aeroport tjetër, veçse ai i "Nënë Terezës", në afërsi të Tiranës. Qeveria shqiptare ka shprehur disa herë vullnetin për të ndryshuar njërën pikë të marrëveshjes me grupin gjerman Hochtief, i cili zotëron pjesën më të madhe të aksioneve te TIA (Tirana International Airport). Qëllimi kryesor është zgjerimi i transportit ajror, duke ngritur aeroporte në pika të largëta të vendit, siç janë Kukësi dhe Saranda. Por marrëveshja me investitorin e huaj dhe shqetësimi për penalizim, ka frenuar hovin. "I vetmi problem është kontrata koncesionare me TIA-n, e cila parashikon lënien ekskluzive për të gjitha fluturimet kombëtare për këtë koncesionar. Sipas kushteve të kontratës, në fund të muajit nëntor krijohet mundësia që ne të rinegociojmë me TIA-n, për disa terma të kontratës", theksoi ministri. Deri tani palët kanë bërë një diskutim paraprak, në pritje të negociatave zyrtare. "Më duhet të njoftoj komisionin parlamentar se kemi gjetur një predispozitë mjaft pozitive nga ana e koncesionarit gjerman për të rinegociuar rreth termave të ekskluzivietit, që u çelin rrugë fluturimeve qoftë brendshme, apo jashtë, nëpërmjet aeroportit të Kukësit dhe me një perspektivë jo të largët edhe të aeroportit të Sarandës, pasi në jemi duke punuar edhe për të", u shpreh kreu i Transporteve. Sa i takon palës gjermane, deri tani janë treguar të tërhequr me deklaratat e tyre, duke nënkuptuar se po studiojnë me kujdes terrenin.
Shoqëritë e Sigurimeve, kartel monopoli në treg
Tregu i sigurimeve është shndërruar në kartele monopol në treg. Diferenca mes shumës së arkëtuar nga sigurimet dhe zhdëmtimet në rast aksidentesh është 6 miliard lekë në vit. Tregu i sigurimeve është ende larg parametrave të tregut të lirë, ndërkohë që shqiptarët mbeten nga përdoruesit me të pakët të shërbimeve të sigurimeve. Primet e sigurimit janë të dominuara nga sigurimi i detyrueshëm, veçanërisht ai motorik. Prania në tregun e kompanive të njohura ndërkombëtare, ende nuk i ka sjellë zhvillimet e pritshme. Këto janë disa nga përfundimet e autoritetit që mbikëqyr tregjet financiare dhe që janë materializuar në raportin vjetor që u referua para deputetëve në komisionin parlamentar të ekonomisë. Në Shqipëri për sigurime harxhohen vetëm 10 dollarë në vit për person ndërkohë që në botë kjo shifër është disa herë më larte. Sigurimi i jetës zë vetëm 7 për qind të totalit të sigurimeve ndërsa sigurimi i detyrueshëm përbën 56 për qind të tregut. Gjatë raportimin në komisionin e ekonomisë për zhvillimet e vitit 2009, kryetarja e autoritetit mbikqyrjes financiare kërkoi lehtësira fiskale me qëllim që tregu i sigurimeve të marrë zhvillim e kërkuar. Edhe pse prej vitesh emra të mëdhenj investitorësh të huaj janë bërë bashkë aks