E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, stërvitje në një stadium të Ndrangheta-s

ROME-Dita e sotme ka qenë speciale për kombëtaren italiane. Të kaltërit e Çezare Prandelit janë stërvitur në Ricikoni, një provincë e Rexhio Kalabrias, në një fushë futbolli që i është sekuestruar klanit mafioz të Ndrangheta-s. Tifozët kalabrezë i kanë rezervuar një pritje të ngrohtë ekipit kombëtar, teksa në stërvitje kanë qenë të paktën një mijë vetë. Përfaqësuesja e kaltër u prit edhe nga autoritetet lokale dhe nga Don Luixhi Kioti, presidenti i Libera-s, rrjetit të shoqërive të impenjuara në luftën kundër mafias. Entuziazëm i jashtëzakonshëm ka qenë edhe në tribunë, ku nuk kanë munguar koret dhe duartrokitjet për futbollistët, përfshi edhe të munguarin Antonio Kasano. Për të ndjekur kombëtaren ka qenë i pranishëm një numër i madh fëmijësh, ndërsa në një pankartë të madhe shkruhej: “Mirëserdhët në Ricikoni!”. “Largohemi shumë të kënaqur, - deklaroi trajneri Çezare Prandeli. – Kemi mbetur disi të prekur nga fjalët dhe pritja e Don Kiotit, si edhe nga pjesëmarrja e fëmijëve. Jam i bindur që kemi marrë pjesë në një ditë historike. Jemi krenarë që këmbëngulëm që kombëtarja të vinte një ditë këtu. Nuk është vetëm një sfidë, por është ideja për të nisur diçka të rëndësishme jo vetëm për këtë tokë, por për të gjithë Italinë”, shtoi ai. në të njëjtën linjë edhe portieri Xhixhi Bufon, një nga më të preferuarit e atyre që ishin në fushë. “Për ne ishte një detyrë morale të vinim këtu, një sens përgjegjësie që duhet ta kemi në raste si ky i sotmi, - tha portieri axurr për Sky. – Tani duhet të zbresin në fushë shumë persona, politika duhet dhe e ka për detyrë të mbështesë e të ndihmojë. Gjithsesi, në fushë duhet të zbresin vlerat kryesore të lirisë, që mbretërojnë në çdo banor të kësaj zone”, deklaroi më tej Bufon.

(da.bo/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›