Italia tërheq nga tregjet mocarelën e intoksikuar
Italia ka urdhëruar të premten tërheqjen e djathit të famshëm të saj, mocarela, që mesa duket përmban dioksinën që shkakton kancer, ndërsa shqetësimi për dëmin e mundshëm ndaj shëndetit po dëmton gjithnjë e më shumë reputacionin e një prej produkteve më të njohura të kuzhinës italiane. Ministria italiane e Shëndetësisë thotë se është duke tërhequr produktet e 25 kompanive në rajonin e Kampanias, ku edhe prodhohet mocarela më e mirë e Italisë. Franca pezulloi për disa orë shitjen e mocarelës italiane të premten, por e tërhoqi mbrapsht masën më vonë, pasi mori garanci nga Roma se asnjë prej produkteve të dyshuara nuk ishte eksportuar atje. Japonia dhe Koreja e Jugut, ndërkohë, kanë bllokuar importin. Komisioni Evropian, që më herët kishte kërcënuar se do ta bllokonte tregtinë në rast se Roma nuk do të vepronte me më shumë agresivitet, tha se ishte i kënaqur me përpjekjet më të fundit të Italisë për sheshimin e shqetësimeve. Ministri i Jashtëm italian, Masimo D‘Alema, tha se nuk kishte arsye për shqetësime, ndërsa dha lajmin se ishte urdhëruar tërheqja nga tregu i produkteve të dyshuara të një industrie që punëson 20 mijë njerëz dhe që vlen rreth 300 milionë euro në vit. "Ky është një fenomen shumë i kufizuar dhe jam i bindur se ne do ta kthejmë besimin në cilësinë e një produkti që mbetet simbol i kuzhinës italiane", tha ai. Në Bruksel, Komisioni Evropian tha se Italia kishte premtuar gjithashtu se do të monitoronte në vazhdimësi punishtet e prodhimit, për të siguruar që të mos verifikohet më asnjë rast i mocarelës me dioksinë përtej niveleve të lejuara nga Bashkimi Evropian. "Duke pasur parasysh informacionin që na u dha sot, nuk ka asnjë arsye në këtë fazë të ndërmarrim veprime të mëtejshme në nivel BE-je", tha Nina Papadoulaki, zëdhënëse e komisionerit të shëndetësisë. Zyrtarët italianë të shëndetit, ndërkohë, besojnë se dioksina është e lidhur me krizën e plehrave në Napoli dhe rajonin e Kampanias përreth. Ndërsa depozitat e plehrave janë mbushur plot, banorët lokalë djegin pirgjet me mbeturina nëpër rrugë dhe në fusha të hapura. Zyrtarët e shëndetit thonë se mbetjet industriale gjithashtu digjen duke përhapur tymra, që në shumë raste përmbajnë dioksinë, një lëndë kimike toksike. Ky publicitet i keq ka shqetësuar disa konsumatorë. Një tregtar mocarele në Romë thotë se shitjet në hotele dhe restorante janë përgjysmuar. "Jemi në një nivel minimal, historik shitjesh", thotë tregtari Paolo Micocci, duke e krahasuar frikën e mocarelës me panikun e përhapur pas sëmundjes së lopës së çmendur apo gripin e shpendëve. Italia prodhon rreth 33 mijë tonë mocarelë në vit dhe 16 për qind e saj shitet jashtë vendit, kryesisht në BE. Franca dhe Gjermania janë importueset më të mëdha, por shitjet po shtrihen edhe në vende të tjera, mes të cilave Japonia dhe Rusia.