E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italiani brutta gente!

Si e shohin emigrantët Italinë? Kinemaja nga vende si Rumania, Serbia e Shqipëria nuk e ka fjalën për popullin e Ferrarit dhe të makaronave. Tema e ditës nga Festivali i Venecies u përket filmave që tregojnë për racizmin italian. Ndër ta, "Muajt e mjaltit", i pari bashkëprodhim serbo-shqiptar, i cili në projeksionin e parë zyrtar që pati dje, është pritur shumë mirë

Pritet ngrohtë në "Ditën e Autorëve" filmi "Honeymoons" i regjisorit serb Goran Paskaljevic, i pari bashkëprodhim kinematografik mes Serbisë dhe Shqipërisë që "e meritoi një duartrokitje të gjatë dhe të bindur në projeksionin zyrtar", - thekson "Cinecitta News". Siç dihet edhe nga publiku i dy vendeve Serbi-Shqipëri, ku filmi nuk është shfaqur akoma, vepra gërsheton rrugët paralele të një çifti shqiptar dhe një serb që nisen drejt Perëndimit, i pari drejt Italisë, i dyti drejt Hungarisë.

Por ajo që e lidh këtë film me temën e ditës që po dominon raportet nga Festivali i Venecias, është këndvështrimi i emigrantëve shqiptarë për vendin pritës. Pikërisht për këtë është bërë një qasje tematike me një tjetër film i shfaqur në programin "Horizonte" të festivalit. Është "Francesca" i rumunit Bobby Paunescu.

Tri ditë më parë, pikërisht ky tërboi Alessandra Mussolinin (e krahut konservator, mbesa e Benito Mussolinit, themeluesja dhe kryetarja e Partisë Nacionale Konservatore Aksioni Social, ish-anëtare e Parlamentit Evropian). Dy frazat që thuhen në këtë film janë: "La Mussolini, una tr... che vuole ammazzare tutti i romeni" dhe "Sindaco di Verona di m......". Janë sharje që dalin nga goja e babait të protagonistes, kundër racizmit të shprehur nga Mussolini dhe kryetarit të Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi. Pas projeksionit të filmit ka reaguar menjëherë Mussolini dhe ka kërcënuar se me Paunescu-n ka për t'i ndarë hesapet drejtësia. Ajo ka kërkuar njëherë prerjen e filmit aty ku përmendet personi i saj, dhe një herë tjetër është shprehur se do të kërkojë sekuestrimin e këtij filmi që, përkundrazi, është përshëndetur nga kritika dhe publiku i Festivalit të Venecies.

Musssolini është përgjigjur: "Kur kam folur për dhunën e disa rumunëve në Itali, e kam bërë duke cituar statistikat dhe shifrat. Do të thotë se kam goditur në shenjë, ky film tregon se janë të dhunshëm edhe me fjalë." Kurse përgjigja e regjisorit Paunescu ishte kjo: "Zonja Mussolini ka deklaruar publikisht se gjithë rumunët e kanë dhunën në gjen, jam i bindur se përderisa ka bërë pohime të tilla, i ka marrë përsipër përgjegjësitë". Në fund të fundit, regjisori i ri rumun që ka theksuar se "Francesca", e interpretuar nga Monica Birladeanu, është një film "për krizën e identitetit të ish-vendeve komuniste", pra leximi që po i bëhet këtij filmi për mënyrën se si e shohin emigrantët Italinë dhe italianët si "brutta gente", është diçka e pashmangshme, por qëllimi i filmit është të japë fatin e atyre që vijnë nga larg.

Në këtë aspekt është komentuar dhe nuk është kursyer renditja në listën e filmave kundër italianëve dhe racizmit të tyre ndaj emigrantëve edhe filmi i mjeshtrit serb Goran Paskaljevic.

Kujtojmë se Paskaljevic ishte shprehur për mediat shqiptare i vetëdijshëm se "Muajt e Mjaltit" përcjell një mesazh politik, që më së shumti u takon të rinjve, ata që "duan një jetë tjetër më të mirë dhe interesohen për politikë. Në anën tjetër kemi Evropën, e cila i ka mbyllur dyert. Shihni çfarë po ndodh në Itali. Filmi është shumë kritik ndaj Evropës dhe do të jetë shumë interesante të shihet se cilat do të jenë reagimet në Festivalin e Venecias. Personazhet kryesore vijnë në Itali ku, me gjithë dokumentet e rregullta, policia italiane nuk i trajton si duhet."

Në një recension të "Sky News" për dy filmat e mësipërm, prej "Honeymoons" citohet kjo batutë: "Italianët janë racistë. Shiko ku na kanë vënë. Në mes të zezakëve", - thotë në një nga batutat më të mira të filmit një nga dy emigrantët shqiptarë që janë ndaluar nga policia italiane në një port puliez. Paskaljevic ndërton një spirale të dhunës nëpërmjet historive paralele të një serbi që do t'ia mbathë nga një vend ku vëllai urren vëllanë, ku shqiptari urren serbin, serbi urren shqiptarin, evropianët urrejnë emigrantët e kështu me radhë.

Skena e portit është skena që ngjall më shumë diskutim. Aty, policë të dehur italianë poshtërojnë Nikun (Jozef Shiroka), emigrantin shqiptar, megjithëse me dokumente të rregullta. "Sigurisht që nuk është bukur kur e sheh veten në anën e të këqijve dhe të teveqelëve, në ato role që jemi mësuar t'i shohim të interpretuara nga roje kufitare teksane dhe që na dukeshin aq larg nesh."

Kurse vetë Paskaljevic është shprehur para projeksionit të filmit në Venecia se dëshira për të bërë një film serbo-shqiptar është tashmë një bast i fituar.

Duke përdorur në maksimum ngjyrat, muzikën, karakteret sllave dhe shqiptare, regjisori arrin të japë një afresk të dëshpëruar të një mjedisi prej shumë kohësh të shkretuar nga lufta. "Muajt e mjaltit" të dy çifteve të reja serbo-shqiptare janë në fakt preteksti për të treguar ndjenjat nacionaliste, kontrastet e identiteteve, të frikave dhe të padijes. Të lindur dhe të rritur afër kufirit me Kosovën, çiftet e "Muajve të mjaltit" përfaqësojnë në një kuptim kufirin e fundit të kësaj lufte dhjetëvjeçare.

Kështu që edhe protagonistët Marko (Nebojsa Milovanovic) dhe Vera (Jelena Trkulja), dhe Niku (Jozef Shiroka) dhe Majlinda (Mirela Naska), me gjithë peripecitë e tyre dhe të prindërve të tyre, mbajnë mbi supe edhe shenjat e republikës së re të pavarur kosovare.
Edhe bashkautori i skenarit, Genc Përmeti, me rastin e hyrjes së filmit në Venecia, do të shprehej: "Mund të them me bindje se është një film politik. Duket qartë se aspirata e të dy palëve, shqiptarë e serbë është Evropa. Ata kanë një mentalitet të avancuar për atë shoqëri ku synojnë të hyjnë. Por pyetja që shtrohet është: A është gati ajo shoqëri të na pranojë?"

Në vijim të kësaj teme, një media vendase shkruante dje: "Në fillim na është kundërvënë shtypi i huaj për Berluskonin, kurse tani po na kundërvihen edhe filmat."


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›