E Diel, 1 Nëntor 2026

Të verbrit, padi biznesmenit që i goditi para kryeministrisë

Pas pak ditësh, në Gjykatën e Tiranës pritet të nisë gjyqi kundër Pëllumb Borshit, i akuzuar për veprën penale të fyerjes

TIRANË- Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka paditur në Gjykatën e Tiranës biznesmenin që pak muaj më parë dhunoi një të verbër gjatë protestës që po zhvillohej përballë kryeministrisë. Ngjarja ka ndodhur më 21 maj 2009 kur Pëllumb Borshi qëlloi dhe shtyu me forcë një grua të moshuar dhe të verbër para derës së kryeministrisë. Dosja është hedhur në short elektronik dhe do të jetë gjyqtari Ilir Çeliku që do të merret me të. Sipas kërkesë padisë, biznesmeni i furrave, Pëllumb Borshi, do t'i përgjigjet togave të zeza për akuzën e "fyerjes" së kryer ndaj një të verbre sipas Kodit Penal dhe do të mbajë përgjegjësi për dëmin jo pasuror të shkaktuar ndaj të verbrës sipas Kodit Civil. Këto fakte bëhen të ditur nga kërkesa penale, e cila tashmë ndodhet në duart e gjyqtarit Çeliku që në ditët në vazhdim do të caktojë seancën e parë gjyqësore për shqyrtimin e kësaj dosjeje.

Sipas kërkesë padisë, shtetasi Pëllumb Borshi, mëngjesin e datës 21 maj 2009, konkretisht aty rreth orës 8:20 minuta, është afruar tek dera e kryeministrisë ku Shoqata e të Verbërve kishte organizuar një protestë paqësore. Të lidhur me litar me njëri-tjetrin rreth 50 të verbër, të drejtuar nga drejtuesit e Shoqatës së tyre, kishin zënë derën hyrëse të personelit të kryeministrisë, duke penguar hyrjen e punonjësve në ndërtesë në shenjë proteste të mos pritjes nga kryeministri për të dëgjuara tre kërkesat e tyre, si rritjen e pagesës, përjashtimin nga taksat si dhe mundësi për strehim.

Për të mbajtur gjendjen nën kontroll të verbrit ishin rrethuar nga Garda e Republikës, drejtuesit e së cilës tentonin të bindnin të verbrit që të largoheshin nga dyert e hyrjes së kryeministrisë. Gjatë kësaj kohe, tek dera e pasme e kësaj ndërtese, është paraqitur shtetasi Pëllumb Borshi, i cili ka tentuar të hyjë në godinë, por është penguar nga të verbrit.

Në këtë moment ai ka hyrë me forcë në mes të turmës duke sharë dhe shtyrë. Në një moment ai ka qëlluar dhe tërhequr një plakë të moshuar. Gruaja e thyer në moshë dhe e verbër është rrëzuar, por, falë të pranishmëve të tjerë ajo nuk ka pësuar ndonjë dëmtim. Më pas biznesmeni Borshi ka hyrë në ambientet e kryeministrisë i pa shqetësuar edhe nga punonjësit e Gardës të cilët në shenjë "falënderimi" e puthën në faqe dhe qeshën bashkë me të. Punonjësi i Gardës që pa gjithë skenën dhe nuk reagoi për ta ndalur shtetasin Borshi por e përqafoi atë, është pushuar nga puna ndërsa "dhunuesi" mjaftoi për disa orë i shoqëruar në polici dhe më pas u la i lirë.

I gjithë incidenti i dhunshëm është filmuar në atë kohë nga media, që transmetimi i atyre pamjeve bëri që të reagojnë institucioni i Presidentit që dënoi dhunën, Avokati i Popullit, Ministria e Brendshme e organizata të tjera jo qeveritare në vend, ndërsa, kryeministria nuk mjaftoi as me një deklaratë kundër kësaj dhune para dyerve të saj. Vetë Borshi në një emision televiziv i ka kërkuar ndjesë plakës së moshuar, duke u shprehur se "nuk e dija që protestuesit ishin të verbër" dhe më pas ka premtuar se për të shlyer gabimin "do të shpërndaj një vit bukë falas për të varfrit".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›