Aksidenti, merr flakë makina me gaz
FIER- Një makina luksoze është përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në rrugën nacionale Fier- Lushnje si pasojë e një aksidenti. Burime të policisë pohojnë faktin se një mjet me targa gjermane "HEF TA26" në momentin e ngjarjes ka qenë duke ecur me shpejtësi por makina i ka ikur nga kontrolli duke u përplasur me një pemë. Më pas makina është kthyer në drejtim të kundërt nga vinte duke qëndruar afër një gardhi pranë kishës katolike. Përplasja ka qenë e fortë dhe në moment mjeti është përfshirë nga flakët kjo për vetë faktin se ky mjet punonte me gaz të lëngshëm. Drejtuesi i saj, nga frika është larguar nga vendi ngjarjes duke u hedhur nga një portë metalike dhe më pas nuk është parë më. Zjarri dhe më pas një zhurmë e fuqishme si rezultat i shpërthimit të gazit kanë dëmtuar edhe linjën e tensionit të lartë që ndodhej mbi mjetin e që po digjej. Si pasojë e zjarrit është bllokuar edhe trafiku rrugor në këtë aks.