E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanov: Incidentet ndëretnike nuk e kthejnë Maqedoninë mbrapa

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në një intervistë për gazetën greke “Katimerini” është shprehur i bindur se incidentet e fundit ndëretnike nuk mund të shkaktojnë tensione të përmasave më të mëdha dhe ta kthejnë Maqedoninë mbrapa.

“Jo, nuk ka kthim mbrapa. Maqedonia është vendi i vetëm në Ballkan me modelin e vet funksional të bashkëpunimit mes komuniteteve të ndryshme etnike, model i cili parashikon që maqedonasit, shqiptarët, romët, turqit, serbët, vllahët dhe bashkësitë e tjera etnike kanë të drejtë vote gjatë miratimit të vendimeve në nivel qendror dhe lokal. Ky është një sistem i cili ende po zhvillohet, por është një sistem që është dëshmuar se mund t`i përballojë presionet që natyrisht paraqiten në të gjitha vendet ballkanike. Modeli ynë i integrimit pa asimilim, është model që bazohet te traditat shekullore, në asnjë mënyrë nuk mund të shqetësohet nga incidentet individuale”, ka thënë Ivanov.

Në këtë intervistë Ivanov ka folur edhe për pritjet nga samiti i ardhshëm i NATO-s në Çikago, duke u shprehur se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Greqia nuk duhet ta bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ivanov ka shtuar gjithashtu se nga anëtarësimi i Maqedonisë do të përfitojë vetë Greqia. Presidenti maqedonas  ka shprehur keqardhje që homologu i tij Papulias deri tani nuk i është përgjigjur asnjërës prej katër ftesave të tij publike për një takim të përbashkët në nivel presidencial.

Duke u përgjigjur pyetjes se a po tenton Maqedonia të vjedhë pjesë të historisë greke, me emërimin e aeroportit të Shkupit me emrin “Leka i Madh” dhe me emërimin e stadiumit të qytetit në Shkup me emrin “Filipi i Dytë”, Ivanov është përgjigjur se bëhet fjalë për histori dhe figura të cilat i takojnë trashëgimisë historike botërore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›