Ivanov kundërshton Tadiçin
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka hedhur poshtë pretendimet e homologut të tij serb, Boris Tadiç, se Maqedonia nuk njeh marrëveshjen e arritur me qeverinë e Kosovës për shënimin e vijës kufitare. "Lidhur me çështjen e Kosovës, Maqedonia dhe Serbia kanë qëndrime të ndryshme. Ne kemi qëndrimin tonë, e ata kanë qëndrimin e tyre. Kjo tregon vetëm qëndrimin që ka Serbia. Ne vërtet e shënuam kufirin në bazë të marrëveshjes që kishim, që ekzistonte në mes Koshtunicës dhe Trajkovskit. Kështu që ne përfundimisht këtë çështje e kemi përmbyllur dhe ky është qëndrimi ynë", ka theksuar Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, duke reaguar ndaj deklaratës së Presidentit serb, Boris Tadiç, i cili ka thënë se "Serbia kurrë nuk do ta njohë marrëveshjen për demarkacion të kufirit, të firmosur midis Maqedonisë dhe Kosovës".