E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanovic: Gabim, thirrja serbëve për të lëshuar institucionet e Kosovës

PRISHTINE-Thirrja që Qeveria e Beogradit u kishte bërë serbëve për të lëshuar institucionet e Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë së saj ka qenë e gabuar, ka thënë politikani kontrovers, Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Sipas tij, ka qenë llogaritur gabimisht se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës do të shkaktojë një dridhje politike. “Largimi i serbëve nuk ka shkaktuar bllokim të institucioneve, por izolimi i serbëve është thelluar, efekti i përgjithshëm është negativ dhe se kjo ka mundur lehtë të parashikohet”, ka thënë Ivanovic për mediet serbe.

Ivanovic ka shtuar se ka qenë shumë me rëndësi që një pjesë e parave të jepen për ndihma sociale në Kosovë, sepse me këtë ata njerëz do të lidheshin më shumë për vendin e tyre.
“Kjo qëndrimin e serbëve do ta bënte ekonomikisht të qëndrueshëm dhe do të sillte kontakte të pakontestueshme me shqiptarë, me çka do të sillte zbutjen e tensioneve politike dhe do t’u krijonte lehtësira zyrtarëve për bisedimet rreth Kosovës. Kjo nuk është realizuar, sepse është vështirë të thyhen stereotipet të cilat çojnë nga problemi territorial”, ka thënë Ivanovic.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›