E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, drejtori i ODIHR në Tiranë më 8 maj

TIRANE- Ndërkombëtarët i kushtojnë një vëmendje të posaçme zgjedhjeve të 8 majit, të cilat edhe pse vendore, do të jenë nën lupën e imët të tyre. Vetë drejtori i OSBE/ODIHR-it, Janez Lenarçiç do të jetë në Tiranë nesër për të vëzhguar nga afër procesin e votimit. Lajmi për vizitën e zyrtarit të lartë të OSBE/ODIHR është bërë i ditur sot nga "Gazeta Shqiptare". Në axhendën e tij, zyrtari i lartë i OSBE-ODIHR-it parashikon që në orën 11:00 të zhvillojë një takim me Presidentin e vendit, Bamir Topi.

Kjo është hera e parë që një drejtues i lartë i OSBE-së dhe ODIHR-it vjen në Tiranë në momentin kur një shtet gjendet në zgjedhje. Në Shqipëri janë rreth 300 vëzhgues të huaj, të cilësuar si afatshkurtër të cilët do të monitorojnë zgjedhjet e 8 majit.

Vëzhguesit e ODHIR-it do të ndjekin dhe procesin e numërimit të votave, të cilat kërkojnë një kohë të posaçme për nxjerrjen e rezultateve të votimit. ODIHR-i ka parashikuar që të nxjerrë raport më datën 10 maj, ky pritet të jetë paraprak, i cili do të fokusohet kryesisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit. Ndërkohë që raporti final për votimet e 8 majit do të mbahet pas dy muajsh, pra në muajin korrik.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›