E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanoviç: Presim sqarimin e UNMIK-ut për zgjedhjet

Autoritetet serbe kanë konsideratë për kundërshtimet, të cilat vijnë nga politikanët ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, por vendimi për këtë do të merret në harmonizim me qëndrimin e UNMIK-ut. Kështu ka deklaruar sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në qeverisë serbe Oliver Ivanoviç në një intervistë për Europa e Lirë.
Ai ka theksuar se autoriteteve serbe u është dashur që të shpallin në gjithë territorin, për shkak se për këtë i detyron Kushtetuta e Serbisë por sipas tij e vetmja pengesë, në këtë pikëvështrim, do të mund të ishte qëndrimi negativ i UNMIK-ut, i cili, deri në këtë moment, nuk është deklaruar.
“I autorizuari i vetëm për ta interpretuar në mënyrë autentike Rezolutën 12 44, është UNIMK-u, si mision në terren ose Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ne i respektojmë shumë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit tjerë të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, në Beograd ose në Bruksel, por vendimin lidhur me këtë çështje do ta harmonizojmë me UNMIK-un, sepse ai është i vetmi i vlefshëm për konsultime të këtij lloji” ka theksuar ai më tej.
I pyetur se nëse zhvillimi i zgjedhjeve në Kosovë do të destabilizonte rajonin, Ivanoviç theksoi se kjo gjë mund të ngrintë tensionet ndërmjet shqiptarëve. “Unë nuk pres që vendimi, çfarëdo qoftë ai, të nxisë tensione të veçanta. Thjesht, është e drejtë që të votojnë dhe të zgjedhin liderët e tyre. Duhet që kjo të kuptohet si universale dhe e vlefshme për të gjithë” ka shtuar më tej Ivanoviç.
Ivanoviç ka theksuar se nëse UNMIK-u nuk do të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, atëherë do të krijohet një situatë e vështirë. “Nëse UNMIK-u nuk do të pranojë politikisht që të ndihmojë në mënyrë logjistike mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, mendoj se atëherë do të kemi situatë shumë më të rëndë, për dy arsye. E para, sepse kjo do të ishte shenjë se nuk mund të llogarisim në asnjë formë të ndihmës nga bashkësia ndërkombëtare. Arsyeja e dytë është dhe për këtë jam i sigurt, se shqiptarët e Kosovës këtë do ta kuptonin si thirrje e hapur që të zbatojnë dhe shfrytëzojnë gjithçka që kanë në dispozicion, në mënyrë që ato zgjedhje t`i pengojnë” ka shtuar Ivanoviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›