Ivanoviç:Plani 6-të pikësh,kusht për integrimin e serbëve
Autoritetet serbe ngulin këmbë në zbatimin e planit gjashtë pikësh të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara si kusht për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Sekretari shtetëror i ministrisë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se, u takon institucioneve ndërkombëtare që të bëjnë pjesën e tyre të punës për të vendosur kontakte dhe për të shmangur çdo mundësi të përplasjeve ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Në zyrën e tij në qendrën bashkërenduese për Kosovën, të qeverisë së Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, Ivanoviç tha se gjendja në Kosovë nuk është aspak e lehtë dhe për këtë arsye duhet një zgjidhje konstruktive. Duke hedhur poshtë planin e Marti Ahtisaarit në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, ai tërheq vërejtjen se plani gjashtë pikësh është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: "Ne mund të merremi vesh se si do ta quajmë një dokument të ri, por në thelb ai duhet të ketë planin 6 pikësh i cili mundëson pjesëmarrjen e përshtatshme të komunitetit serb në institucione por pa krijuar ndjenjën se ata janë detyruar në institucionet e Kosovës së pavarur", tha ndër të tjera Ivanoviç. Plani gjashtë pikësh që parasheh edhe një formë të autonomisë për policinë, drejtësinë e doganat në zonat e banuara me shumicë serbe është hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës.