E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanovic"këshillon" KFOR-in: Nuk është zgjidhje heqja e barrikadave

I ashtuquajturi sekretar i Ministrisë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, ka thënë se sot në veri të Kosovës do të jetë më qetë, pasi gjatë natës është ndërruar kontigjenti i KFOR-it, i cili ka hequr barrikadat në fshatin Rudar të Zveçanit.
 

“Tani situata do të shkojë kah qetësimi. Gjatë natës është zëvendësuar kontingjenti, i cili ka filluar aksionin, përderisa sot kemi grekët, atje kemi edhe festën fetare. Andaj do të kemi rastin të shohim sjelljen e KFOR-it dhe përgjegjësinë e liderëve serbë”, ka thënë Ivanovic për televizionin shtetëror serb.
 

Sipas tij, me heqjen e barrikadave, KFOR-i nuk mund ta zgjidh problemin dhe se në çdo heqje të tyre serbët mund të vendosin dy të tjera.
 

“Për këtë nuk është mirë që KFOR-i të provokojë dhe të harxhoj energji të mëdha dhe mjete të serbëve, pasi ajo rërë dhe ata gurë kushtojnë... Do të ishte mirë që KFOR-i ta kuptonte që çështje të këtilla nuk mund të zgjidhen me forcë dhe as me forca të KFOR-it, por ato duhet lënë në dorë të politikanë, kur t`i vije koha”, citohet të ketë thënë Ivanovic.
 

I pyetur se përse KFOR-i të premten vendosi të heq barrikadat, Ivanovic ka thënë se është i bindur se ata kanë shfrytëzuar njëfarë vakumi institucional, i cili ekziston në Serbi në prag të formimit të qeverisë së re dhe se ata kanë provuar të testojnë se cili do të ishte reagimi i serbëve dhe se sa ajo do të ndikonte tek popullata lokale.
 

Sipas tij, duhet pritur që të formohet qeveria e re në mënyrë që bisedimet Beograd-Prishtinë shpejt të fillojnë, pasi, siç ka thënë ai, aty mund të gjendet zgjidhje e qëndrueshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›