E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanoviq: Serbia s’e njeh GND-në

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se zyrtarët serbë e refuzojnë planin për integrimin e veriut të Kosovës, duke e konsideruar se është i rrezikshëm për stabilitetin rajonal.

Ivanoviq u ka thënë mediave serbe se Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Faith, e mbështesin këtë plan me qëllim që të zbatohet Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit.

Edhe nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliq, ka theksuar se për Serbinë konkluzat e GND-së janë të pavlefshme.

Ivanoviq tha se Serbia e konsideron GND-në grup jolegal dhe me këtë fakt vendimet e tij janë të pavlefshme.

Grupi Ndërkombëtar Drejtues, i përbërë nga 25 vende që e kanë njohur dhe përkrahur pavarësinë e Kosovës, pas takimit të së hënës në Vjenë, ka dalë me disa konkluza për Kosovën. Ky grup i ka dhënë mbështetje angazhimeve të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës në përpjekjet për të vendosur sundimin e ligjit në veri të vendit.

GND-ja e ka cilësuar si sfidë kryesore integrimin e të gjitha komuniteteve, sidomos atij serb. “GND-ja mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës, duke marrë parasysh rekomandimet e ICO-së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit”, është thënë në konkluza.

Gjithashtu u është bërë thirrje të gjitha palëve, përfshirë edhe Serbinë, që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces jetik, për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›