E Diel, 1 Nëntor 2026

Plot protesta

Kërkesat për rritje rrogash, Qeverisë së Kosovës po i mbërrijnë nga të katër anët. Në ditët në vazhdim, numri i tyre nuk pritet të zvogëlohet, përkundrazi, në radhë për të hyrë në protesta janë shumë sindikata.

Por, derisa sindikatat ndryshojnë, kërkesat e tyre mbesin pothuajse të njëjta. Të gjithë duan rritje rrogash dhe përmirësim të kushteve të punës.

Për dy orë, të hënën protestuan gardianët dhe punëtorët civilë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, para Drejtorisë së burgut të Dubravës dhe qendrave të tjera në tërë Kosovën.

Dy orë më vonë, protestuesit u larguan të qetë, por ata lanë një ultimatum drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. Ky dikaster, nëse deri të mërkurën nuk do të bëjë zgjidhje për kërkesat e tyre, protestat në vazhdim do të mbahen në Prishtinë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj thotë se ky marsh në qendër të Prishtinës është planifikuar të mbahet të premten e kësaj jave. “Do të presim zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë që të vijnë te ne të mërkurën për të negociuar kërkesat tona. Afati i është dhënë deri në orën 12 të së mërkurës, nëse vetëm një minutë më tej vonohen, atëherë nuk do t’i pranojmë në bisedime. Më pas do të organizohemi të protestojmë të premten në Prishtinë”, thotë Sadikaj për Express.

Ai sqaron se deri më tash, askush nga Ministria e Drejtësisë nuk ka dëgjuar ankesat e gardianëve. Kësaj proteste, iu bashkua edhe Sindikata e Shërbimit Korrektues në Prishtinë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për shikimin e pozitës tejet të vështirë të stafit që punojnë nëpër burgje dhe realizimin e kërkesave tona”, tha kryetari i kësaj Sindikate, Xhevat Ademi.

Kërkesat e punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë për rritje të koeficientit të rrogës dy shkallë, pagesën e ndërrimit të natës, heqjen e shpenzimeve të rrugës, përmirësim të kushteve të punës dhe rritje rrogash.

Këto kërkesa, zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë thonë se do t’i plotësonin nëse do të vareshin vetëm nga kjo ministri. Mirëpo, ata arsyetohen se kjo do të rregullohej vetëm me miratimin e disa ligjeve.

“Ministria e Drejtësisë mirëkupton kërkesat e protestuesve dhe ato do të plotësoheshin nëse varet 100 për qind nga kjo ministri. Mirëpo, për fat të keq, kërkesat e ardhura te ne, siç është rritja e pagave dhe ngritja e koeficientit të shërbyesve civilë, varen nga disa ligje ende të pamiratuara të Qeverisë së Kosovës”, thotë Astrit Kolaj, zyrtar për informim në Ministri të Drejtësisë. Ai për Express sqaroi se Ministria ka arritur që të bëjë ngritjen në kompensimin për rrezikshmëri dhe, sipas tij, bazuar në këtë aspekt, me Policinë e Kosovës i ka barazuar të gjithë oficerët korrektues, çka do të thotë se atyre u janë rritur pagat mujore për 107 euro.

“Me miratimin e Ligjit për shërbyesit civilë, oficerët korrektues do të barazohen me të gjitha të drejtat e PK-së dhe me institucionet e tjera siç janë zyrtarët doganorë dhe ata të FSK-së. 165 euro është rroga minimale dhe plus kompensimi për rrezikshmëri 107 euro, që i bie rroga më e vogël të jetë 272 euro”, sqaroi Kolaj.

Por zyrtarët e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës pohojnë se në rast se do të vendoset për protestë, atëherë ata do të jenë të përkrahur nga punëtorët e judikaturës së vendit.

Këta të fundit, pak ditë më parë kanë marrë vendim që për shkak të pakënaqësive që kanë për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të punës, kanë paralajmëruar që duke filluar nga 10 shkurti të protestojnë për tri ditë rresht.

Mjekët i japin tri ditë afat Qeverisë

Më në fund, pas shumë mospajtimesh që kishin, tashmë Këshilli Kombëtar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe Sindikata e QKUK-së duket se janë marrë vesh.

Ata janë pajtuar pas një mbledhjeje shumorëshe të mbajtur gjatë të hënës.

Me këtë rast, Sindikata e QKUK-së i ka dhënë tri ditë afat kryeministrit të vendit që të shqyrtojë kërkesat e punëtorëve shëndetësorë, ndër të cilat , kryesorja është ajo për rritje të pagave. Kjo sindikatë, nëse nuk plotësohen kërkesat, paralajmëron masa më radikale deri në realizimin e kërkesave te tyre. Këtë kërkesë e ka përkrahur edhe FSSHK-ja.

Ndërkohë, Këshilli Kombëtar i Federatës i ka renditur pesë kërkesa drejtuar institucioneve të vendit dhe për plotësimin e tyre kanë dhënë afat vetëm deri më 28 shkurt të këtij viti. Kërkesat e FSSHK-së janë kompensimi në paga prej 44 eurosh të bëhet sipas marrëveshjes së 14 tetorit 2008, rritja e pagave në masën 30 për qind për të gjithë punëtorët në shëndetësinë publike (13.247) (sipas deklaratës dhe premtimit publik të kryeministrit të vendit), miratimi në procedurë të shpejtë të Ligjit për organizimin sindikal dhe Ligji për grevat, pasi nuk kanë kosto financiare. Përveç këtyre, kërkesa e katërt e mjekëve është caktimi i afatit për miratimin të tri ligjeve të tjera të marrëveshjes së 14 tetorit 2008, Ligji i punës, Ligji për paga dhe Ligji për sigurimet shëndetësore. Kërkesa e pestë është dhe e fundit është që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe të gjithë kryetarët komunalë të nxjerrin vendime për njohjen e Marrëveshjes së 14 tetorit 2008 dhe për shtesën në pagë prej 44 eurosh për vitin 2010.

Protestojnë edhe taksitë

Sindikata e Pavarur e Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës së bashku me autotaksitë e Prishtinës, të enjten do të mbajë një protestë nga ora 11 deri në ora 12 para Kuvendi Komunal të Prishtinës. Kjo sipas tyre vjen si rezultat i asaj që Kuvendi Komunal nuk e ka përmbushur asnjë pikë të marrëveshjes.

Jusuf Azemi, kryetar i SPEVZ të Kosovës thotë se kanë katër kërkesa që ata do t’ia parashtrojnë Komunës së Prishtinës.

Kërkesa e parë është që të largojnë t’i gjitha veturat që janë të parkuara në vendparkingjet e rezervuara për taksitë. Pastaj largimi nga rruga i taksive të palicencuara, pasi që, sipas Azemit, ato na bëjnë konkurrencë të paligjshme.

SPEVZ-ja po ashtu ka kërkuar që t’u mundësohet që hyrja në Kosovë e veturave të blera të dedikuara për taksi të bëhet pa doganë.

“Nëse Komuna e Prishtinës dëshiron që taksitë të jenë të reja nga viti i prodhimit, atëherë duhet të lirohemi nga dogana. Kjo sepse veturat janë të shtrenjta dhe po ashtu kërkohet që veturat të jenë njëngjyrëshe. Kjo na bie shumë shtrenjtë”, tha Azemi për Express.

Ndërsa, ai thotë se kërkesa e fundit me radhë është që taksistët të lirohen nga pagesa në institucione të ndryshme, ky hyrja bëhet me pagesë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›