Paralajmërimi i Kryeparlamentarit

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka paralajmëruar të hënën Qeverinë që të mos marrë vendime që janë në kundërshtim me ligjin.
Deklaratat e Krasniqit, i cili njëherësh është edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, vijnë pasi që Kryeministri Hashim Thaçi vendosi t’ua kthejë ministrave/deputetë në mënyrë retroaktive pagat që nuk i merrnin nga Parlamenti i Kosovës.
“Si Parlament dhe institucione jemi të obliguar që të respektojmë ligjin. Lexojeni ligjin dhe shihni se ka plot vendime që janë në shpërputhje me ligjin. Nuk është mirë që asnjëherë dhe në asnjë kohë të merren vendime nga Ekzekutivi që bien ndesh me ligjin. Parlamenti i vendit kërkon respektimin e ligjit nga të gjitha institucionet dhe jo vetëm nga Qeveria”, tha Krasniqi, pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Parlamentit.
Por ai shtoi se për vendimet e kundërligjshme të Qeverisë, sidomos në rastet e krijimit të beneficioneve në paga dhe mëditje dhe privilegjeve të tjera për vetë strukturën e saj, mbeten çështje me të cilat duhet të merret sistemi gjyqësor më shumë sesa Parlamenti i vendit.
“Ne nuk jemi prokurori dhe as gjykatë që të veprojmë ndaj vendimeve të kundërligjshme. Ne përmes formave të debatit, interpelancave kontrollojmë ekzekutivin dhe veprimet e tij”.
Ndryshe, të hënën, Kryeparlamentari Krasniqi ka folur edhe rreth kërkesës që Parlamenti i kishte dërguar Qeverisë për një informatë rreth situatës në pjesën Veriore të Kosovës. Kanë kaluar njëzet ditë që kur Kryesia e Parlamenti i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës një pasqyrë për gjendjen në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkohë që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ekzekutivit i vendit.
Sipas kreut të legjislativit, duhet pritur edhe një javë dhe nëse Qeveria nuk sjell informatë, atëherë do të vendoset për seancën në të cilën do të debatohet për zbatimin e kushtetutshmërisë në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Afati sipas Rregullores së punës së Kuvendit është tri javë dhe pas tri javësh, nëse Qeveria nuk e sjell informacionin e duhur që duhet për debat, Kryesia e Kuvendit mund të vendosë për seancën e debatit”, ka thënë Krasniqi.
Kërkesa për debat për gjendjen e sigurisë në Veri është shtruar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 19 janar nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, ndërkohë që drejtuesit e Kuvendit kanë shprehur bindjen se Qeveria jo vetëm që do të sjellë informatë për shtrirjen e kushtetutshmërisë në pjesën veriore, por do të zbardhë edhe përmbajtjen e strategjisë për integrimin e Veriut.
Kryesia të hënën vendosi që seanca e radhës së Parlamentit të Kosovës të mbahet më 11 shkurt, ku do të shqyrtohen tetë projektligje. Ndërsa, është vendosur që për Ditën e Pavarësisë të mbahet një seancë solemne, ku qytetarëve do t’iu drejtohen Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari.