E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanoviq i sheh të pashmangshme zgjedhjet e nëntorit

Ish-sekretari i Shtetit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i tha të përditshmes serbe, “Politika”, se zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë janë të pashmangshme, meqë përmes tyre prania e Serbisë në terren do të identifikohet me praninë dhe komunikimin përmes Bashkësisë së komunave, e Bashkësia duhet të konstituohet në bazë të rezultateve nga zgjedhjet.

“Prandaj zgjedhjet janë të pashmangshme dhe në pikëpamje procedurale është e pakuptimtë teza se ka alternativë”, është shprehur Ivanoviq.

Ivanoviq e konsideron se do të ishte mesazh i mirë politik për serbët që Daçiq të votonte në Prizren, por këtë nuk e lejon Kushtetuta e Serbisë. Meqë “Kosova e Metohia” na qenka pjesë e Serbisë, ai “nuk mund të votojë në dy qytete në zgjedhjet lokale”! i ka thënë ai “Politikës”.

Kjo gazetë shkruan po ashtu se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, të martën ka telefonuar nga Brukseli dhe ka urdhëruar bllokimin e paraqitjes për votues jashtë Kosovës, që ka të bëjë me paraqitjen e të gjithë të ikurve dhe të zhvendosurve që jetojnë jashtë territorit të Kosovës dhe që duan të marrin pjesë në votim.

Sipas “Politikës” në Kosovë janë të evidentuar 52.144 votues serbë në veri, por “një burim ka thënë se ky numër do të ndryshojë, meqë regjistri duhet të pasqyrojë numrin e serbëve në librat amz të Serbisë për serbët në pjesën veriore të Mitrovicës dhe tri komunat në pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe- Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok”./Indeksonline/     

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›