Ivanoviq kritikon Serbinë për zgjedhjet në Kosovë

Të vetëquajturit liderë serbë në pjesën veriore të Kosovës, pas takimit me udhëheqësit shtetërorë e Serbisë në Beograd, deklaruan se në ditët në vijim do të vendoset për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale të Kosovës që duhet të mbahen më 3 nëntor.
Njëri nga radikalët serbë të veriut të Mitrovicës, Millan Ivanoviq tha se në Beograd është theksuar nevoja për një pikëpamje të përbashkët lidhur me zgjedhjet.
Nga ana tjetër, Rangjell Nojkiq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në Komunën e Graçanicës, tha se deklaratat e tilla tregojnë se diçka e rëndësishme po ndodh, duke shtuar se deri në javën e ardhshme do të merret vendimi, duke mbështetur idenë që në këto zgjedhje serbët në veri të dalin me një listë të përbashkët.
“Lidhur me çështjen e serbëve të veriut, mendoj se është mirë që po ndodh diçka. Megjithatë, ata po hyjnë në një rrezik nëse vendosin të dalin në zgjedhje, sepse tash ata duhet t’i bindin votuesit për të kundërtën e asaj që kanë deklaruar deri tash”, tha Nojkiq për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, ish-sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq tha se pajtohet që në këtë drejtim duhet të ketë një qasje të përbashkët, në kuptimin e asaj që të gjithë ta pranojnë qëndrimin e qeverisë serbe dhe të angazhohen për një listë me njerëzit më kredibil.
Serbëve të veriut, një ditë më parë, u është thënë që të mos presin inkurajim për të bojkotuar eventualisht procesin e zgjedhjeve në Kosovë, por që qeveria serbe do të qëndrojë me popullin e saj në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë vendimi merret.
Lidhur me këtë, Ivanoviq thekson se Beogradi nuk e ka dërguar mesazh të qartë popullatës serbe në Kosovë për dalje në zgjedhje.
“Me keqardhje dua ta konstatoj që Serbia sistematikisht e ka pamundësuar formimin e një elite autoktone dhe autonome politike serbe në Kosovë. Ky fakt është i pakundërshtueshëm. Për këtë arsye serbët e Kosovës nuk janë në gjendje që vetë të marrin vendime të rëndësishme. Domethënë, nuk është mirë, nuk është e ndershme dhe nuk është korrekte të nxiten të marrin vendime tërësisht në mënyrë të pavarur, në një kohë kur paraprakisht askush nuk i ka aftësuar, në fakt i ka paaftësuar serbë e Kosovës që të mendojnë në mënyrë të pavarur”, tha Ivanoviq./Indeksonline./