Haziri: Gjilani s’ka qenë kurrë më i sëmurë nga keqqeverisja

Në vazhdën e aktiviteteve politike të LDK-së në Gjilan, të enjten është mbajtur takimi me kryetarët e nëndegëve bashkë me grupin e këshilltarëve komunalë të LDK-së, kryesuar nga Lutfi Haziri, kryetar i degës.
Sipas një njoftimi të LDK-së, keqqeverisja dhe abuzimi i parasë publike nga ana e partisë pakicë (PDK) në qeverisje është bërë sëmundja më e rëndë që e njeh historia më e re e Gjilanit, andaj kërkohet që më 3 nëntor qytetarët e saj ta ndryshojnë atë, duke ia besuar qeverisjen Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Dega e kësaj partie apelon tek KQZ-ja dhe KKZ-të nëpër komuna që në mënyrë urgjente të ndërmarrin fushatë njoftuese për të drejtën e votuesve, duke respektuar vullnetin dhe të drejtën e tyre për votë të lirë e garantuar edhe me Kushtetutë dhe të pamundësojë që vjedhësit e votës që janë në “pushtet” sot dhe manipuluesit të mos lejohen në asnjë mënyrë që ta shëmtojnë demokracinë dhe vullnetin e lirë të njerëzve, thuhet në komunikatën e degës së LDK-së./Indeksonline/