E Diel, 1 Nëntor 2026

Izmiri, një Bala tjetër për Vllazninë, por në mbrojtje

Nga Gjergj Kola

Trajneri Vata e stërvit me ekipin e parë, që Izmir Bala të mund të piqet më shpejt

Një nga mbrojtësit më të mirë të Vllaznisë së fundviteve 80 dhe viteve 90, pikërisht Alban Noga, prej kohësh ngre zërin për mungesën e nxjerrjes së mbrojtësve të rinj cilësorë nga ekipet e akademisë së Vllaznisë. Dhe në të vërtetë kështu është. Te skuadra shkodrane në të vërtetë të huajt janë me shumicë në këtë repart.

Edhe sivjet është e njëjta situatë. Mjafton të përmendim emrat, duke filluar nga porta me Vujadinoviçi e Gjokoviçin, për të kaluar në mbrojtje ku janë malazezët e tjerë Petroviç e Popoviç, dy lezhjanët Smajli e Danaj, madje edhe tiranasi Muça, që ka luajtur në ndeshjet e fundit në këtë repart. I vetmi shkodran që ka mbijetuar në këtë repart është Arsen Sykaj.

Mbrojtësit e akademisë

Pikërisht mungesa e thekuar e mbrojtësve vendës ka bërë që drejtuesit aktualë të Vllaznisë ti hedhin sytë nga ekipet e akademisë për të ofruar prej tyre elementët më cilësorë. Njëri prej tyre është Izmir Balaj. Vetëm 17 vjeç e gjysmë (i datëlindjes 04.02.1994), ai pak muaj më parë u shpall kampion me ekipin e 17-vjeçarëve të Vllaznisë nën drejtimin e trajnerit Entri Çaku.

Kalimi te të rinjtë është shoqëruar jo vetëm me aktivizimin e tij si titullar në të gjitha ndeshjet e tij, pavarësisht moshës që ka, por kohët e fundit ka bërë një kapërcim edhe më të madh tek ekipi i të rriturve. Ka qenë trajneri Vata ai që pak kohë më parë, në mungesë të mbrojtësve, për shkak dëmtimesh, mori disa lojtarë nga të rinjtë. Prej tyre kanë mbijetuar vetëm tre: dy mesfushorët Dema e Markolaj dhe mbrojtësi Balaj.

Ky i fundit duket në qiellin e shtatë, sepse i ka ngjitur shkallët shpejt e shpejt. Njëlloj si djali i xhaxhait të tij, Bekim Balaj, sulmuesi aktual i Tiranës, që u afrua tek ekipi i parë i Vllaznisë vetëm 16 vjeç e gjysmë. Izmiri është një vit më i madh, por duket shumë i pjekur. Nga familja Balaj shpejt mund të shohim një tjetër futbollist që do të bëjë emër, nisur nga aftësitë që zotëron. Por këtë herë jo si sulmues, sikurse Bekimi.

Strategjia e Vatës

Izmiri luan në mbrojtje dhe Vllaznia shumë shpejt mund të ketë në radhët e saj një element të mirë, mbi të gjitha të formuar. Njëri nga trajnerët e ekipit të të rinjve, pikërisht Alban Noga, që kërkonte mbrojtës të shkollës shkodrane, është i kënaqur me ecurinë që ka Balaj. Të njëjtën gjë shpreh për këtë futbollist edhe trajneri tjetër Ilir Dibra, i cili më shumë se rezultatet e ekipit të tij, vlerëson faktin që po i shërben ekipit të parë me elementë cilësorë.

Ky futbollist po stërvitet me ekipin e parë, sepse Vata dëshiron ta ketë pranë, ta shohë duke u rritur, që ai të përfitojë nga më të mëdhenjtë që janë në skuadër. Por Balaj, sa herë që nuk është për të luajtur (zakonisht në ndeshjet e kupës) me ekipin e parë, kthehet tek të rinjtë dhe jep kontributin e tij, ashtu siç bëri edhe të mërkurën ndaj Shkëndisë së Tiranës në fitoren 3-0, ku ka qenë ndër më të mirët në fushë. E rëndësishme është që te Vllaznia po formohet një mbrojtës i së ardhmes me shumë vlera. Mjafton që Izmir Balaj të vazhdojë në këtë rrugë që ka nisur.

 

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›