Mersini: Luftëtari, i motivuar për fitore me Adën
Mesfushori Ergis Mersini pohon se përgatitjet për ndeshjen e nesërme janë bërë si për një finale të parakohshme
Ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Kastriotin përfundoi 3-3, kështu që Luftëtari do ta luajë ndeshjen e fundit me Besën për të plotësuar kalendarin. Ndërkaq, si udhëtues ai kërkon fatin e madh në Velipojë, ku nesër do të përballet me Adën në një aventurë, që edhe astrologët më në zë nuk mund ta parashikojnë rezultatin e saj. Një gjë mund ta themi me siguri: Luftëtarët e Argjirosë duhet të luftojnë me dhëmbë të shtrënguar fort në Velipojë.
Flitet për një ndeshje të vështirë, por ashtu do të thuhet edhe për tjetrën me Kukësin dhe po ashtu edhe për atë të fundit të fazës së parë në Mamurras. Eshtë një refren i pambarimtë, që do të përsëritet deri kur të jetë përcaktuar përfundimisht se ku do të luajë Luftëtari sezonin 2012-2013, dikur famëmadh dhe aktualisht në kërkim të thesarit të humbur. Si ai, edhe Elbasani, Besa, por edhe Lushnja kërkojnë të tyret dhe të tjerë duan të krijojnë të tilla, por që numri i të fituarve është i kufizuar.
Pra, ekipit gjirokastrit, për të qenë i sigurt, i duhet një nga dy vendet e para në mbyllje të kampionatit, por deri atëherë në radhë të parë duhet mbyllur faza e parë sa më mirë dhe me diferencë pikësh nga rivalët, gjë që nis kristalizimin që në Velipojën e ftohtë.
Mersini Ergis Mersini, mesfushor i Luftëtarit, i cili ka heshtur pas 2 golave, thotë: Ndeshja me Adën vërtet nuk përcakton, nëse i dyti shkon ose jo në superligë, pasi në vazhdim janë edhe 17 ndeshje të tjera, por ka rëndësi të veçantë për të, sepse me fitore mund të thellojë disatancën nga ndjekësit.
Fitorja ka rëndësi edhe për vlerat morale dhe për prestigj, dhe kjo tregon edhe një herë se ekipi ynë është pretendenti kryesor për superioren. Përgatitja për këtë përballje është zhvilluar si për një finale të parakohshme. Shanset tona për fitore nuk janë të pakta, edhe pse në fushën e saj nuk ka fituar asnjë ekip deri tani, por pikërisht këtë mund ta bëjë Luftëtari, që në thelb shkon aty më i kompletuar.
Jemi të motivuar për fitore. Them se me gjykim të pranueshëm për të dy palët, Luftëtari do të dalë me rezultatin e pretenduar, por edhe çdo rezultat tjetër, duke qenë pjesë e lojës së futbollit, do të duhet ta përballojmë, sepse edhe këtu qëndron forca e një ekipi, që lufton për një objektiv të rëndësishëm. Ajo që duhet të bëjmë, është të gabojmë sa më pak, gjë që e kemi vetë në dorë, por të lutemi që të kemi edhe fatin me vete.
