Elbasani, asgjë për të humbur në Kavajë
Mbrojtësi Jurgen Dosti thekson se ka ardhur momenti që ekipi verdheblu të tregojë se e ka mendësinë e fituesit
Elbasani është mundur të mërkurën nga Vllaznia në Kupën e Shqipërisë, por kjo ishte një humbje e paralajmëruar, sepse verdheblutë mendojnë vetëm për ndeshjen me Besën në Kavajë. Eshtë cilësuar nga të gjithë se do të jetë pikërisht kjo transferta, nga ku do të nisë ngjitja e Elbasanit drejt kreut, por se sa do tia arrijë, do ta tregojë fusha e stadiumit të Kavajës. Elbasanasit e vlerësojnë maksimalisht këtë ndeshje, sepse në këtë moment janë vështirësuar shumë gjërat.
Verdheblutë nuk duan të humbasin terren, përkundrazi, ata synojnë të fitojnë ndonjë shkallë në tabelën e klasifikimit deri në fund të fazës së parë, për të sulmuar fort gjatë fazës së dytë, me qëllim që të sigurojnë një biletë për superligën. Ndeshja me Besën do të thotë shumë për ta, pasi një tjetër humbje do ta bënte ndoshta të pamundur realizimin e objektivit.
Dosti Mbrojtësi i ri i Elbasanit, Jurgen Dosti, pohon se ekipi është përgatitur të luajë një 90-minutësh, nga i cili varet fati i sezonit: Elbasani nuk ka çfarë të humbasë në Kavajë dhe do të hyjë në fushë me mendimin se mund ta fitojë ndeshjen. Humbja na nxjerr nga gara për kthimin në superligë. Ekipi është pëgatitur me shumë seriozitet dhe besoj se do të marrim rezultat pozitiv. Deri në fund të fazës së parë janë në lojë edhe 9 pikë dhe ne i kemi mundësitë për ti marrë të plota.
Uroj të kemi edhe pak fat. Si ekip pretendent, duhet ta tregojmë veten pikërisht tani, kur llogaritë bëhen me laps në dorë. Kam shumë besim se pozitat tona do të jenë më të mira pas 3 ndeshjeve të fundit të fazës së parë. Besën e kemi vlerësuar, pasi ka një ekip të fortë dhe pretendon ashtu si ne kthimin në elitë, por them se ka ardhur koha për të marrë pikë jashtë fushe. Duhet vetëm përqendrim maksimal, është shprehur mbrojtësi i Elbasanit, Dosti.
