Poçi: Besa është konsoliduar, e tregojmë me Elbasanin
Mesfushori veteran i kavajasve, Artion Poçi, thekson se skuadra po funksionin dhe shumë shpejt do të ngjitet në krye
Besa dhe Elbasani, dy skuadrat më me emër të kategorisë së parë, luajnë sot në stadiumin e Kavajës, në pozita që para kampionatit nuk i kishin parashikuar. Të kuotuara si dy pretendente kryesore për kthimin në superligë, këto dy skuadra kanë vuajtur jo pak deri tani dhe për rrjedhojë qëndrojnë disi larg kreut, në vend të 5-të dhe të 6-të. Në këto kushte, ndeshja e sotme ka marrë vlerat e një finaleje për të dyja palët, sepse lënia e pikëve kushton shumë. Kavajasit luajnë në fushën e tyre dhe nuk u falet të humbasin apo të barazojnë, për më tepër që vijnë pas një ecurie të mirë me dy fitore radhazi, e dyta në transfertë.
Poçi Apeli i kapitenit Artion Poçi është për përqendrim maksimal në fushë: Skuadra është në formë të mirë dhe gjatë këtyre dy javëve jemi munduar të rregullojmë edhe ato gjëra, ku kemi çaluar. Ndeshja me Elbasanin është shumë e rëndësishme, por të tilla janë edhe ato që do të vijnë më pas, sepse Besa kërkon kreun e renditjes.
Mendoj se Besa tashmë është një skuadër më e konsoliduar dhe nuk i falet të gabojë, për më tepër në Kavajë. Të tri repartet kanë qenë në nivelin e duhur dhe thjesht duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, ka theksuar mes të tjerash mesfushori fierak, Artion Poçi, pa dyshim busulla e skuadrës kavajase.
Roshi Optimist për sfidën e sotme është shprehur edhe sulmuesi Daniel Roshi, i cili parashikon një fitore të pastër të kavajasve: Fitorja e pastër në Burrel tregoi se mundësitë e Besës janë për të qenë në kreun e tabelës. Tashmë gjithçka po funksionon mjaft mirë. Detyra jonë është që të fitojmë pastër me Elbasanin dhe me çdo kundërshtar tjetër. Të gjthë bashkë duhet ta çojmë Besën në vendin që i takon.
