Izolim edhe per disa zona te jugut
Disa ditë pas reshjeve të para të borës që shkriu disa orë pas rënies, përsëri të enjten reshjet e borës kanë përfshirë dhe mbuluar të gjithë territorin e Qarkut të Gjirokastrës. Bora nisi gjatë natës së datës 15 dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm bora arriti një trashësi që varionte nga 10 deri në 25 centimetra. Pasojat e para të motit me borë konstatohen së pari në bllokimin e lëvizjes së automjeteve në akset rrugore kombëtare, në ato rurale dhe në rrugët e brendshme të qyteteve të jugut.
Nga informacione që japin zyrat e emergjencave civile në qark e prefekturë, si dhe nga komunikatat e policisë, bëhet e ditur se ka pasur bllokime në aksin kombëtar Gjirokastër-Sarandë në Qafë të Muzinës. Deri në orën 09.00 të mëngjesit rruga në këtë segment ishte plotësisht e bllokuar dhe e pakalueshme, por me ndërhyrjen e punonjësve dhe mjeteve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve qarkullimi u bë i mundshëm vetëm për mjetet me zinxhirë. Në të dyja anët e këtij segmenti janë vendosur patrulla të qarkullimit rrugor të njësisë rajonale të policisë rrugore, të cilët ndihmojnë drejtuesit e mjeteve, informojnë dhe kontrollojnë që qarkullimi të vijojë vetëm me zinxhirë. Bllokim dhe lëvizje të kufizuar me zinxhirë, për shkak të borës ka pasur edhe në aksin rrugor nacional Ersekë-Tri Urat-Përmet. Situata në rrugët që lidhin komunat me qendrat e rretheve dhe qendrën e qarkut paraqitet më e vështirë. Në rrethin e Gjirokastrës janë dy komuna pothuajse të bllokuara, Komuna Zagorie dhe zona e Golemit në Komunën e Picarit, pasi trashësia e dëborës në këto zona varion nga 20 deri në 25 centimetra. Në rrethin e Tepelenës raportohen tri komuna me problemore, Komuna Kurvelesh, Lopës dhe Buz, ndërsa në rrethin e Përmetit është e bllokuar dhe nuk qarkullohet në Komunën Frashër, ku trashësia e borës ka arritur në 30 centimetra. Komunat e tjera në të tria rrethet e qarkut deri dje në mesditë ishin të kalueshme, por që banorët kanë hasur në vështirësi për ushqimin e bagëtive.