E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izrael, policia hyn në sheshin e xhamive

Policia izraelite hyri sot në mëngjes në Sheshin e Xhamive, në qytetin e shenjtë të Jerusalemit, pas manifestimeve të palestinezëve, njoftojnë burime policore. Një forcë policore hyri në shesh pasi u hodhën gurë kundër vizitorëve të cilët ndodheshin atje, shtuan të njëjtat burime.
Policët u sulmuan me gurë nga disa manifestues të cilët derdhën vaj në tokë për t'i rrëzuar ata, shtoi radioja publike duke njoftuar se disa manifestues ishin arrestuar.
Pas këtyre incidenteve, policia e bllokoi hyrjen për në shesh, që ishte hapur normalisht pak përpara për besimtarët myslimanë si dhe për vizitorë jo-myslimanë, bënë të ditur burime policore.
Policia izraelite ka dislokuar sot përforcime në qytetin e shenjtë Jerusalem duke parashikuar incidente.
"Ka patur thirrje si nga palestinezë dhe nga arabë të Izraelit për të manifestuar dhe për të mbrojtur Mallin e Tempullit (Sheshin e Xhamive), për këtë arsye kemi përforcuar patrullat në qytetin e vjetër për të shmangur trazirat e mundshme", i deklaroi AFP-së zëdhënësi i policisë Micky Rosenfeld. Ky shesh, ku ndodhen xhamitë Al-Aqsa dhe Maja e Shkëmbit, është vendi i tretë i shenjtë i islamit pas Mekës dhe Medinës. Ajo është gjithashtu vendi më i shenjtë i hebrejve të cilët e quajnë Mali i Tempullit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›